S’miratohet raporti financiar i Kuvendit, deputetët thonë se s’janë arsyetuar shpenzimet

Prishtinë | 13 Qer 2019 | 11:58 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me katër vota për dhe 3 vota kundër Komisioni për Buxhet dhe Financa nuk e kaloi raportin e shpenzimeve për tre mujorin e parë të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Kjo pasi deputetët nuk vlerësuan që raporti ka dhënë të gjitha të dhënat e përgjithshme për arsyet e shpenzimeve.

Sipas sekretarit të Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqit, Kuvendi vetëm në 3 mujorin e parë të këtij viti ka shpenzuar: Për paga 1 milion e 579 mijë, për mallra dhe shërbime 226.926 €, ose 37,81% e buxhetit të ndarë, shpenzime komunale 71.159 €, ose 85,74% e buxhetit të ndarë, subvencione dhe transfere 35.166 €, ose 95% , ndërsa bëri të ditur se gjatë këtij tre mujori, Kuvendi nuk ka pasur shpenzime kapitale. 

“Për 3 mujorin e parë Kuvendi ka shpenzuar 226.926 mijë euro për mallra dhe shërbime. 1 milion e 575 mijë ka shpenzuar për paga ose 48.40 për qind e buxhetit. Shërbime komunale 71 mijë”, tha Krasniqi.

Kryetari i Komisionit, Lumir Abdixhiku fajin për këto shpenzime ia hodhi kryetarit të Kuvendit dhe stafit të tij.

Sipas Abdixhikut, këshilltarët e Veselit kanë shpenzuar më shumë se 40 për qind se sa deputetët e Kuvendit të Kosovës.

“Këshilltarët e kryetarit Veseli kanë shpenzuar gati 40 përqind më shumë se sa deputetët e Kuvendit”.

“Në udhëtimin e fundit kryetari i kuvendit bashkë me këshilltarët e tij ka shpenzuar 21 mijë euro. Jam tmerruar kur kam pa që ata kanë paguar dhomë hoteli 600 dollarë. Ne jemi popull i varfër nuk kemi nevojë me shkuar më gjithë këta këshilltarë”.

Ndërsa deputetja Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se buxheti po vazhdon të përdoret për luks të qeveritarëve dhe pushtetarëve, andaj kanë marrë vendim mos ta votojnë këtë raport.

“Ne kemi kërkuar që për secilin shpenzim të bërë për vizita zyrtare që të na njoftohet edhe arsyeja e vizitës. Janë 30 mijë euro që kuvendi ka shpenzuar vetëm për dreka zyrtare. Buxheti po vazhdon të përdoret për luks të qeveritarëve dhe pushtetarëve dhe ne nuk e votojmë këtë raport”.

Sekretari Krasniqi tha se nuk është në mandatin e tyre ta vlerësojnë përbërjen r ekipit që shkon në vizita zyrtare, raporton EO.

“Është raport që çdo shpenzim i realizuar është i mbështetur nga vendimet që vijnë nga kryesia e kuvendit. Nuk është në mandatin tonë ta vlerësojmë përbërjen e ekipit. Nuk udhëtojnë më shumë se 2 anëtarë me shpenzime komplet të kuvendit”.

Ndërsa deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj i arsyetoi këto shpenzime të Kuvendit të Kosovës.

“Kuvendi ka nevojë me bë më shumë udhëtime jashtë vendit për me lobuar edhe me shumë për vendin tonë”.

Të ngjashme