Sot dita e fundit për dorëzim të kandidaturave për Podujevën, deri në mesditë asnjë aplikim zyrtar

Prishtinë | 17 Shk 2020 | 12:46 | Nga Ekonomia Online

Sot është dita e fundit për dorëzimin e aplikimit nga subjektet politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e 15 marsit për kryetar të komunës së Podujevës.

Ndonëse është ditë feste, për institucionin e KQZ-së sot është një ditë pune e zakonshme pasi siç dihet këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme. Pikërisht në këtë ditë, deri në orën 18:00 subjektet politike duhet të dorëzojnë aplikimin si dhe emrin e kandidatit për kryetar të kësaj komune.

Deri më tani Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë njoftuar emrat e kandidatëve për kryetar, por akoma nuk janë dorëzuar në KQZ.

I kontaktuar nga Ekonomia Online, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se deri në orën 12:00 të ditës së sotme zyrtarisht nuk është dorëzuar asnjë aplikim.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar një ditë më herët se kandidati i saj për kryetar të Podujevës është Nexhmi Rudari, kurse Vetëvendosje do të garojë me Shpejtim Bulliqin.

Partia Demokratike e Kosovës akoma nuk ka njoftuar për emrin e kandidatit të saj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme