Sot mbahet samiti i Berlinit

Prishtinë | 29 Pri 2019 | 08:38 | Nga Ekonomia Online

Në Blerin sot do të bëhen bashkë liderët e Ballkanit Perëndimor me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

Në këtë samit Kosova do të përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, kurse Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq.

Presidenti Hashim Thaçi në prag të nisjes për në Samitin e Berlinit të dielën theksoi se shpreson të ketë mbështetje të kancelares gjermane Angela Merkel dhe homologut francez Emanuel Macron, për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me territorin e Kosovës.

Megjithatë u shpreh kundër idesë së shkëmbimit të territoreve.

“Nuk pres se aty do të ndodhë dialog mes Kosovës dhe Serbisë apo negociata. Por, në të njëjtën kohë vazhdoj të theksoj fuqishëm pozicionin tim se do të ishte me interes mbështetja e të drejtës së shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për bashkëngjitje me territorin e Kosovës – do të ishte një korrigjim i padrejtësive historike. Por, gjithmonë do të jem shumë kundër shkëmbimit të territoreve sepse ajo është çështje e pazareve dhe nuk do të lejojmë që askush ta përdorë”.

Thaçi në një konferencë për media tha se nuk do të lejojë që dialogu mes Kosovës e Serbisë të jetë i kushtëzuar.

Takimi i Ballkanit Perëndimor, do të fillojë pasdite me një sesion dhe një drekë pune.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme