Sot në Kosovë vijnë Escobari dhe Lajçaku

Prishtinë | 23 Gus 2022 | 08:11 | Nga Ekonomia Online

Sot në Prishtinë pritet të arrijë emisari amerikan, Gabriel Escobar, i shoqëruar nga ai i BE-së, Miroslav Lajçak.

Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar vizitën e Escobar drejt Prishtinës dhe ka thënë se arsyeja e këtij udhëtimi është mbështetja e dialogut Kosovë-Serbi.

Nga Prishtina, Escobar do të vazhdojë për në Beograd.

“Zëvendësndihmës Sekretari Escobar po udhëton në Prishtinë dhe Beograd për të mbështetur dialogun”, është përgjigjur shkurt zëdhënësi i DASH’it për Reporterin.

Ende nuk është bërë e ditur agjenda, mirëpo Gazeta Express mëson se Escobar tashmë e ka ftuar për darkë pune kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Darka pritet të mbahet pasditen e së martës në rezidencën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

“Kryetari i PDK-së, z. Memli Krasniqi është i ftuar nga z. Eskobar për darkë pune të martën pasdite në rezidencën e Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë”, bëjnë të ditur burimet nga PDK.

Nuk dihet nëse Escobar ka takim me kryeministrin Albin Kurti, por është raportuar se emisarin amerikan do ta takojë gjatë ditës presidentja Vjosa Osmani.

Vizita e Escobarit dhe Lajçakut vjen pas dështimit të arritjes së ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në takimin e 18 gushtit që pati kryeministri Kurti me presidentin serb Vuçiq, në Bruksel.

Pas takimit pesëorësh, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se negociatat e asaj dite nuk rezultuan me një marrëveshje, por shpresonte se do të kishte takim tjetër, para 1 shtatorit.

Një shtatori është data, të cilën Qeveria e Kosovës e ka caktuar për hyrje në fuqi të vendimit të saj për targat e lëshuara ilegalisht nga Serbia dhe lëshimit të një letre hyrje/dalje për shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë, ashtu siç lëshohet për kosovarët që hyjnë në Serbi.

Të ngjashme