Sot përfundon afati për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës

Prishtinë | 18 Gus 2021 | 07:54 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar 9 mijë e 600 aplikime deri të martën, për regjistrim si votues jashtë vendit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se sot është afati i fundit kur votuesit nga jashtë mund të aplikojnë për regjistrim.

“Deri më tani kemi pranuar rreth 9 mijë e 600 aplikime për regjistrim si votues jashtë Kosovës. Afati për këtë periudhë përfundon më 18 gusht”.

“Pas kësaj date do të kemi një raport të detajuar nga shërbimi votues se sa nga këta aplikues janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe sa jo, pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore”, është shprehur ai.

Elezi gjithashtu ka thënë se pas regjistrimit të suksesshëm të gjithë votuesit mund të kryejnë këtë proces përmes postës nga data 15 shtator.

“Të gjithë aplikuesit që arrijnë të regjistrohen si votues jashtë Kosovës, do të mund të votojnë përmes postës në një fazë të mëvonshme e cila fillon më 15 shtator. Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri më 15 tetor”.

“Duke u mbështetur në rregullën zgjedhore për votimin jashtë vendit, është detyrë e KQZ-së që të përpilojë listën votuese jashtë Kosovës. Kjo listë duhet të përmbajë të dhënat e atyre votuese që me sukses janë regjistruar për votim jashtë Kosovës dhe t’i largojë emrat e tyre nga lista votuese që shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve”, ka përfunduar ai për EO.

Zgjedhjet për kryetar komunash dhe kuvend komunale mbahen me 17 tetor.

Të ngjashme