Sot shqyrtimi i parë i Buxhetit 2023 – si do të ndahet shuma prej 3.2 miliardë eurove

Prishtinë | 17 Nën 2022 | 11:23 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi i Kosovës është mbledhur sot për t’i shqyrtuar disa pika të rëndit të ditës, ku ndër to, më e rëndësishmja është shqyrtimi i parë i projektligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës 2023.

Në fund të muajit tetor, Qeveria Kurti miratoi projektligjin e buxhetit për vitin e ardhshëm, më ç’rast u bë e ditur se shuma totale do të jetë 3.2 miliardë euro.

Si do të ndahet ky buxhet?

Shuma prej 296 milionë eurosh – e cila është më e larta e ndarë për një dikaster – i dedikohet shëndetësisë në nivel qendror dhe lokal, shkruan Klan Kosova.

“60 milionë euro janë për barna esenciale për t’u siguruar që spitalet dhe qendrat e mjekësisë familjare janë mirë të furnizuara për të ofruar shërbime ndaj qytetarëve. Për këtë po ashtu do të shtohen edhe 400 pozita: 100 në nivel qendror dhe 300 në nivel lokal”, shkruan në njoftimin e Vetëvendosjes.

Pas shëndetësisë, më së shumti të holla i ndahen sektorit të Mbrojtjes, që figuron 123 milionë euro.

“Vitin e kaluar kemi dyfishuar buxhetin për Ushtrinë nga 50 milionë duke e çuar në 100 milionë, ndërkohë për vitin 2023 buxheti për fushën e mbrojtjes do të shkojë në 123 milionë euro duke e rritur kështu mbështetjen për sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes”, ka thënë Hekuran Murati, ministër i Financave.

Për fushën e arsimit, qeveria i ka ndarë 82.799.243 euro apo 9.712.412 euro më shumë sesa në vitin e kaluar.

“Këtë vit buxheti për arsim ishte 12 për qind më i lartë se në vitin 2021. Në vitin 2023, buxheti do të jetë edhe për 12 për qind më i lartë se këtë vit. Pra, për dy vjet, kemi 24 për qind rritje të buxhetit për arsim”, njofton ministrja e për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion, Arbërie Nagavci.

“Ndër të tjera, për vitin 2023 kemi paraparë: 6. 5 milionë euro për pajisjen e shkollave me teknologji të informacionit dhe komunikimit. 6.5 milionë euro për ndërtimin e çerdheve të reja. 2.8 milionë euro nga Granti Specifik për punësimin e 300 asistentëve të rinj për fëmijët me nevoja të veçanta, 59 këshilltarëve të karrierës, 30 specialistëve të IT për nevojat e shkollave. 150 mijë euro për instalimin e sistemit anti-plagjiat për nevojat e arsimit të lartë”, shtoi ajo.

Sa i përket bujqësisë, buxheti për këtë fushë shkon në 87 milionë euro, që sipas qeverisë, do të përkthehet direkt në ndihmën edhe më të madhe ndaj bujqve dhe zhvillimin e këtij sektori jetik për vendin.

Ndërsa për përmbushjen e politikave sociale, qeveria i ka paraparë 60 milionë euro. Sa i përket infrastrukturës, ekzekutivi i ka paraparë 69 milionë euro.

Sipas ministrit të Financave, Hekuran Muratit, buxheti 3.2 miliardë euro është shifra më e lartë e ndarë ndonjëherë në historinë e Republikës së Kosovës.

Të ngjashme