Specialja tregon se kur mund të konfirmohet aktakuza kundër Thaçit e Veselit

Prishtinë | 24 Qer 2020 | 21:28 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ua ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim nga Gjykata, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte, ndër të cilat vrasje, zhdukje e detyruar të personave, përndjekje dhe tortura.

Gazeta Sinjali ka pyetur në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nëse presidenti Hashim Thaçi është intervistuar ndonjëherë nga Prokurori i Specializuar dhe se kur mund të konfirmohet aktakuza e ngritur ndaj tij dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit.

Dhomat e Specializuara thanë se kjo është përgjegjësi e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar ka treguar afatin se kur mund të konfirmohet aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë dy institucione të ndara. Çfarëdo që ka të bëjë me hetimet bie në përgjegjësi të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, kështu që ne nuk jemi në gjendje t’u përgjigjemi pyetjeve tuaja”, thuhet në përgjigjen e Shefes e Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara, Angela Griep.

Ndërkaq Christopher Bennett nga Zyra e Prokurorit të Specializuar deklaroi se gjykatësi i procedurës paraprake ka 6 muaj afat për ta konfirmuar ose jo këtë aktakuzë, ndërsa refuzoi të tregojë nëse Thaçi është intervistuar ndonjëherë.

“Ne nuk japim informacione për individët që ju po kërkoni. Për të qenë të saktë, Dhomat duhet të japin informacione mbi punën e gjykatësit të procedurës paraprake, jo unë, pasi unë punoj vetëm për Zyrën e Prokurorit. Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave, gjykatësi i procedurës paraprake ka gjashtë muaj për ta shqyrtuar një aktakuzë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Gazetën Sinjali.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzën e ngritur nga Prokurori i Specializuar përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës, si dhe kundërshtarë politikë.

Në një deklaratë për shtyp, Prokurori i Specializuar tha se aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm.

Tashmë, një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara është duke e shqyrtuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

Të ngjashme