Spahiu thotë se Kosova mund ta avancojë pozicionin ndërkombëtar në forumet ballkanike

Prishtinë | 01 Sht 2021 | 19:12 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik Nexhmedin Spahiu ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në forume ballkanike, si ky i sotmi në Bled, shërben për ta avancuar pozicionin rajonal dhe ndërkombëtar të saj.

“Të gjitha këto forume që bëhen mes vendeve ballkanike nën mbikëqyrjen e Bashkimit Europian janë për ta forcuar si subjekt ndërkombëtar, përkatësisht si subjekt rajonal. Kosova nuk është e njohur prej dy vendeve fqinje të Ballkanit Perëndimor, Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, dhe natyrisht qëllimi është që të natyralizohet Kosova si një subjekt në këtë qark i cili synohet që në të ardhmen të jetë pjesë e BE-së”.

“Në këtë kuadër Kosova sigurisht që deri më tani ka luajtur rol minor, nuk ka mundur të përfitojë benefitet të cilat i janë ofruar pikërisht nga këto organizime të cilat iu kanë ofruar një mundësi. Kosova i ka parë sikur shumë të huaja, jo si mundësi për vete por si diçka që po detyrohet të marrë pjesë. Çfarëdo që i është ofruar Kosovës përbën një hap përpara për të avancuar pozicionin e saj ndërkombëtar ose rajonal”.

Ai, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka deklaruar se Kosova duhet ta ketë parasysh pozicionin e Serbisë në rajon kur përpilon politikat e jashtme.

“Interesi i Bashkimit Europian për Serbinë sigurisht që vjen për shkak të relacioneve me Rusinë dhe Kinën. Në radhë të parë vjen edhe për shkak të peshës si shtet, pozitës gjeostrategjike në rajon sepse kryeqyteti i saj është vendi ku pucen dy lumenjtë më të mëdhenj në Ballkan, pesha ekonomike dhe ushtarake dhe të tjera që vendet përreth nuk mund të maten me të. Këto duhet t’i kemi parasysh në kalkulimet tona në bërjen e politikës së jashtme”.

Spahiu ka thënë se kur flitet për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duhet të merret parasysh që ndryshojnë rrethanat, duke marrë si shembull tërheqjen e amerikanëve nga Afganistani.

“Duhet të kemi parasysh që jo gjithmonë faktorët e jashtëm mbesin njësoj. Ndryshe ka qenë situata para se të ndodhte tërheqja amerikane nga Afganistani dhe ndryshe është tani. Sigurisht që kjo klimë dhe ajo çfarë ka ndodhur në Afganistan është klimë që e favorizon Serbinë. Mund të thoni që amerikanët nuk e kanë humbur luftën aty, por në momentin aktual kjo shihet si dështim i tyre në Lindjen e Mesme”.

Të ngjashme