Specialja sqaron përmendjen e emrave të tjerë në aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit

Prishtinë | 06 Nën 2020 | 18:48 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se përmendja në aktakuzë e ish-eprorëve të UÇK’së Fatmir Limaj, Sabit Geci, Azem Syla, Lahi Brahimaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, e Latif Gashi nuk do të thotë se ndaj tyre ka aktakuzë të konfirmuar.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Specializuar, Christopher Bennett ka thënë ata përmenden si pjesëmarrës në një “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”, dhe se aktakuza e konfirmuar ndërlidhet vetëm me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.

Zyra e Prokurorit të Specializuar mbrëmë ka publikuar versionin e redaktuar të aktakuzës ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të PDK’së, Kadri Veseli, deputetit të VV’së, Rexhep Selimi dhe ish-kreut të Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Në aktakuzën e publikuar përmenden edhe ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, Fatmir Limaj, Sabit Geci, Azem Syla, Lahi Brahimaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi.

Gazeta Express ka pyetur Zyrën e Prokurorit të Specializuar se përse janë përmenduar emrat e tyre dhe nëse ata kanë aktakuzë të konfirmuar.

Zëdhënësi i kësaj zyre, Christopher Bennett ka thënë se aktakuza lidhet vetëm me katër të akuzuarit, ndërkaq individët tjerë përmenden si pjesëmarrës në një “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”

“Aktakuza e redaktuar publike lidhet vetëm me katër te akuzuarit: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Këta individë, te cilët ju i keni përmendur, theksohen, siç keni vënë në pah ju, si pjesëmarres në një Ndërmarrje të Përbashët Kriminale”, thuhet në përgjigje.

Sot gjatë ditës, Sabit Geci ish-epror i UÇK’së ka mohuar të ketë pranuar ndonjë aktakuzë nga Prokurori i Specializuar ndonëse emri tij përmendet në aktakuzë.

Ndërkaq sot, hetuesit e Speciales kanë bastisur shtëpitë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Të hënën e 9 nëntorit, ish-kreu i drejtorisë politike të UÇK’së, Hashim Thaçi do të paraqitet para gjykatësit të Dhomave të Specializuara për t’u përballur me akuzat e pretenduara të Prokurorisë Speciale për krime lufte.

Aktakuza kundër Hashim Thaçit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.

Aktakuza e ngarkon Hashim Thaçit me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.

Në të njëjtën ditë por në orë tjetër para Speciales do të paraqitet edhe ish-zëdhënësi i UÇK’së, Jakup Krasniqi i cili u transferua në Hagë dy ditë më herët.

Të ngjashme