Stano: Kosova ta rikonsiderojë vendimin për vizitë të Petkoviqit

Prishtinë | 16 Dhj 2021 | 10:59 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano ka thënë se vizitat zyrtare duhet të realizohen ashtu siç janë marrë vesh Kosova dhe Serbia. Petar Petkoviq, drejtor i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovë” në qeverinë serbe është kthyer mbrapsht dje në pikën kufitare në Jarinjë dhe s’është lejuar të futet në Kosovë.

Stano ka deklaruar se të gjitha vizitat zyrtare duhet të lejohen të ndodhin nga të dyja shtetet.

“Ne kemi marrë parasysh zhvillimet e fundit në lidhje me vizitat zyrtare. Duam të theksojmë edhe një herë se presim që të dyja palët të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e mëparshme, përfshirë marrëveshjen për vizitat zyrtare. Sipas marrëveshjes, të gjitha vizitat duhet të kryhen në një mënyrë që përmirëson procesin e normalizimit ose të kontribuojë në punën e përgjithshme në kontekstin e dialogut të mbështetur nga BE. Ne presim që palët t’i respektojnë këto udhëzime”, tha Stano për portalin kosovoonline.

Stano ka thënë që Kosova duhet ta rikonsiderojë vendimin për ndalimin e Petkoviqit.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që ta rikonsiderojë vendimin e saj në lidhje me vizitën”, ka shtuar Stano.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme