Statovci-Demaj: Demarkacioni dhe korrupsioni, pengesë për vizat

Prishtinë | 03 Shk 2017 | 12:43 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendësministrja e Integrimeve Evropiane, Anila Statovci-Demaj, ka raportuar sot në Komisionin për Punë të Jashtme. Ajo i është përgjigjur pyetjeve të shumta të anëtarëve të këtij komisioni të cilët shprehën shqetësimet e tyre për mosliberalizimin e vizave dhe kushtet të cilat janë vendosur nga Bashkimi Evropian për marrjen e vizave.

Statovci-Demaj para anëtarëve ka paraqitur punën të cilën e ka bërë gjatë periudhës të cilën Ministria e Jashtme ka mbetur pa ministër, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka thënë se po punohet shumë në plotësimin e agjendës së integrimeve evropiane, ndërsa ka përsëritur se liberalizimi i vizave nuk është bërë për shkak të mospërmbushjes së dy kritereve, Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi si dhe luftës kundër korrupsionit.

Statovci-Demaj ka thënë po ashtu se në kuadër të kriterit për luftimin e korrupsionit, Prokuroria Speciale ka bërë punë të mirë duke shënjestruar 34 raste të korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe duke ngritur 25 aktakuza e vendosur tre lëndë në shkallë të parë.

Pyetjet të cilat u drejtuan zëvendësministres kishin të bëjnë me lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës drejt shteteve të Bashkimit Evropian.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka shprehur interesim të ketë raportin me shkrim nga zëvendësministrja Statovci dhe ka pyetur për çështjet e ndjeshme të ratifikimit të demarkacionit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“ Preket dy pika të cilat janë më të ndjeshme siç është çështja e demarkacionit dhe lufta e krimit të organizuar dhe korrupsionit, pyetja më aktuale është procedimi i demarkacionit, a duhet të ketë një qasje më pro aktive në çështje për procedim të demarkacionit e cila është barrë dhe kusht tepër i rënd. Kemi pasur fushata propaganduese nga Serbia. Kosovarët kanë probleme me marrjen e vizave qofshin ato edhe viza të cilat merren për arsye shëndetësore”, ka thënë Deliu-Kodra.

Edhe deputeti nga koalicioni qeverisës, Ismet Beqiri nga LDK-ja,ka thënë se dy kushtet që janë venë nga Bashkimi Evropianë edhe pse janë të padrejta janë të obligueshme.

“Dy kushtet që janë bërë nga BE edhe pse janë të padrejta, janë të obligueshme e sidomos lufta e krimit dhe korrupsionit. Kushti për demarkacion është i padrejtë se nuk është vëne shteteve të tjera por sido që të jetë është kusht. Sado që është i rëndë ne duhet t’i përmbushim obligimet tona”, ka thënë Beqiri.

Kurse deputetja nga opozita, përkatësisht nga Lëvizja Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi ka pyetur nëse mungesa e emërimit të një ministri të ri a po ndikon në implementimin e MSA-së dhe gjithashtu edhe ajo ka pyetur për luftimin e korrupsionit.

Zëvendësministrja Statovci-Demaj ka dhënë përgjigje për të gjitha këto interesime të deputetëve anëtarë të këtij komisioni.

“Liberalizimi i vizave e cila ke njëra ndër temat të cilat u ngrit më së shumti. Duhet të dimë që na kanë mbetur këto dy kritere dhe këto nuk janë autoritet tona ato që po bëjnë të pamundurën që të ofrojnë platforma bashkëpunimi brenda këtyre proceseve për të plotësuar këto kritere. Demarkacioni është jashtë mandatit të Ministrisë se Integrimeve”, ka thënë ajo.

“Luftimi i korrupsionit të lartë është ndërtuar nga një mekanizëm i veçantë dhe një data bazë e lartë. Këto diskutime bëhen edhe në Bruksel se deri ku ka punuar Kosova kënaqshëm për liberalizimin e vizave. Demarkacioni mbetet një çështje tjetër, a është kjo e drejtë apo jo, kjo është pranuar nga ana jonë si kritere ndoshta atëherë se kanë menduar që është problematik”, ka thënë Statovci-Demaj.

Të ngjashme