Stavileci: Qeveria ka hartuar projektstrategji joadekuate për energjinë – qytetarët do të goditen me çmime gjatë dimrit

Prishtinë | 08 Kor 2022 | 13:20 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, ka thënë sot se Projektstrategjia e Energjisë e hartuar nga Qeveria Kurti nuk e adreson të ardhmen energjetike të vendit tonë në përputhje me rrethanat e reja në Kosovë, rajon dhe botë.

Stavileci ka shkruar në faqen e tij në Facebook se mangësitë e shpërfaqura në këtë projektdokument të Qeverisë dëshmojnë edhe një herë mungesën e vizionit afatgjatë për sigurinë energjetike dhe kombëtare, si dhe dështimin në planifikimin e masave për të kapërcyer vështirësitë afatshkurtëra duke nisur nga ky dimër i vështirë që po na pret të gjithëve.

“Dy parimet imamente të çdo strategjie që do të duhej të ishin Siguria e Furnizimit dhe Përballueshmëria e Çmimeve të Energjisë për të gjithë duke e vendosur konsumatorin në qendër janë shpërfillur qëllimshëm apo paqëllimshëm deri në pikën sa në qendër të kësaj strategjie është vendosur xhepi i tij, edhe ashtu i zbrazur nga pasojat e krizave të fundit ekonomike. Siguria e furnizimit vazhdon të mbetet kritike dhe në mëshirën e importit, kurse përballueshmëria e çmimeve vazhdon të mbetet në kurrizin e ekonomive shtëpiake dhe bizneseve”, tha Stavileci.

Për më tepër, si shkruan se siguria e furnizimit dhe çmimet e përballueshme asnjëherë nuk duhet të shihen si kosto oportune për zhvillimin e qëndrueshëm.

“Edhe njëra edhe tjetra duhet të shihen si dy anë të së njëjtës medalje, të pandashme dhe përplotësuese. Nuk ka siguri energjetike dhe siguri kombëtare pa siguri të qëndrueshme të furnizimit. Nuk ka zhvillim të qëndrueshëm pa qëndrueshmëri të prodhimit të vetëmjaftueshëm. Nuk ka çmime të përballueshme në përballje të hapur me varshmërinë e papërballueshme nga importi”, tha ai.

Sipas Stavilecit, Qeveria duhet të reflektojë dhe të mos dështojë në planifikimin strategjik të së ardhmes energjetike, sepse kësisoj, sipas tij, e planifikon dështimin e sigurt të saj dhe të sigurisë kombëtare.

“Ky dimër dhe dimrat që po vijnë përbëjnë kërcënim serioz për të gjithë. Prandaj, të paktën në këtë temë kaq të rëndësishme, nuk duhet kurrsesi të mungojë serioziteti i kësaj Qeverie, i munguar, për fat të keq, në pothuajse të gjitha fushat dhe krizat e shfaqura deri më tani”, tha Stavileci.

Të ngjashme