Stefanoviq: Ne presim mbështetjen e Rusisë në parandalimin e hyrjes së Kosovës në Interpol

Prishtinë | 01 Gus 2019 | 08:51 | Nga Ekonomia Online

Serbia ka mbështetje të fortë nga Rusia në mbrojtje të integritetit të saj territorial dhe sovranitetit në Kosovë, dhe gjithashtu pritet një përkrahje e tillë kur bëhet fjalë për përpjekjen e Prishtinës për të hyrë në Interpol.

Kështu ka thënë ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq.

“Ne po e vazhdojmë luftën bashkë me Federatën Ruse për Kosovën jo vetëm në lidhje me Interpolin, por edhe në institucione të tjera ndërkombëtare”, tha ai për TV Pink.

Ministri serb tha se mbështetja ruse reflektohet edhe në projekte të ndryshme multilaterale e dhe bilaterale, dhe në veçanti në bashkëpunimin rreth parandalimit të siç tha ai “efekteve të dëmshme që do të shfaqeshin nëse aplikacione për Interpol të tilla si të Kosovës së vetëshpallur do të pranoheshin”.

Sipas tij, Serbia nuk u ndal pas Asamblesë së mëparshme të Interpolit kur Kosova nuk u pranua dhe vazhdoi të punojë me vendet e tjera për këtë çështje.

Kosova nuk ka arritur të bëhet vend anëtar i Interpolit pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në nëntorin e vitit të shkuar në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, transmeton Klan Kosova.

Të ngjashme