Stoltenberg ripërsërit: Më vjen keq për vendimin rreth Ushtrisë së Kosovës

Prishtinë | 03 Jan 2019 | 10:46 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se i vjen keq për vendimin e Kuvendit të Kosovës për miratimin e pakos së ligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, pavarësisht paralajmërimeve dhe shqetësimeve të shprehura nga NATO-ja rreth kësaj çështjeje.

Këtë deklaratë zyrtari i lartë i NATO-s e ka ripërsëritur gjatë një interviste për gazetën “Pobjeda” të Malit të Zi.

“Edhe pse në parim tranzicioni i FSK-së është çështje që Kosova duhet të vendos, ne kemi bërë të qartë se ky veprim vjen në kohë të gabuar. NATO mbështet zhvillimin e FSK-së brenda mandatit të saj aktual. Me ndryshimin e mandatit, Këshilli i Atlantikut të Veriut do të duhet të shqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s me FSK-në” .

“Të gjitha palët duhet të sigurohen se ky vendim, i cili është bërë në kohë të gabuar, nuk do rris më tej tensionet në rajon. Të gjithë akterët politikë në rajon duhet të fokusohen në përparimin në reformat dhe në dialog. Kam biseduar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe i kam informuar ata për diskutimet aktuale në mesin e anëtarëve të NATO-s “, tha ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme