Studentët protestojnë para Zyrës së BE-së, “edhe kur pranohemi në universitete evropiane, ambasadat na refuzojnë vizat”

Prishtinë | 09 Maj 2022 | 14:52 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Studentore “Studim Kritikë Veprim” ka mbajtur një aksion simbolik para zyrës së BE-së në Prishtinë, me ç’rast ka shprehur indinjatën për mosliberalizim të vizave për kosovarët, raporton Ekonomia Online.

Omer Kosumi nga SKV-ja, tha se si student ndjehen të diskriminuar pasi që edhe në rast se pranohen në universitete evropiane, ambasadat shpesh ua refuzojnë vizat.

Ai ka theksuar se Kosova i ka kryer “detyrat e saj të shtëpisë” dhe BE-ja duhet sa më shpejt të bëjë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Kosova vazhdon të jetë e izoluar. Qëllimi i aksionit është për të shprehur shqetësimin në lidhje me kufizimin për të studiuar në BE. Ka raste kur studentët pranohen në universitete, por ambasada ua refuzon vizën. Ajo që kërkojmë është trajtim i barabartë”.

“Qëllimi i këtij aksioni simbolik është për të shprehur zemërimin dhe pakënaqësinë e studentëve lidhur me mos liberalizimin e vizave, si njëra nga kategoritë më të prekura. Ne përmes këtij aksioni simbolik shprehim shqetësimin tonë për diskriminimin e vazhdueshëm dhe mohimin e të drejtës për të studiuar kudo në BE, në krahasim me vendet e tjera anëtare, apo të rajonit të cilët e gëzojnë të drejtë” .

“Mos liberalizimin e vizave për Kosovën nënkupton edhe mohimin e diversitetit, duke ia pamundësuar studentëve të Kosovës të bëhen pjesë e rinisë evropiane me botëkuptime të ndryshme, filozofike, morale, etnike, racore apo akademike dhe intelektuale…

“…përmes këtij aktiviteti kërkojmë që BE-ja të na trajtojë në mënyrë të barabartë fillimisht dhe pastaj të na ndihmojë në progres duke na bërë pjesë të tyre” tha ai.

“A t’ka ndodh me t’pranu fakulteti e ambasada jo?”, “Na bëni pjesë të rinisë evropiane”, “Mbajeni premtimin”, “Na trajtoni të barabartë” ishin disa nga pankartat që mbanin studentët në duar.

Lexo më shumë:

Të ngjashme