Subjektet politike dorëzuan 65 ankesa në PZAP

Prishtinë | 30 Qer 2017 | 15:48 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Subjektet politike, përkatësisht kandidatët e tyre kanë paraqitur gjithsej 65 ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Mulë Desku kryetar i sekretariatit në PZAP ka thënë për Ekonomia Online se afati për paraqitjen e ankesave ka qenë 24 orë dhe ka përfunduar në ora 14:20.

“Koalicioni PDK-AAK-Nisma ka dorëzuar më së shumti ankesa, kandidatët e këtij koalicioni gjithsej 22, koalicioni LDK-AKR-Alternativa 19, Lista Serbe 11 dhe partitë tjera dy ose tri ankesa, gjithsej janë të dorëzuara 65 ankesa”, ka thënë ai.

“Është e vërtetë që afati për paraqitjen e ankesave lidhur me publikimin e rezultateve zyrtare përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfundu në ora 14:20 minuta , pasi që dje vetëm janë publiku këto rezultate në të njëjtën kohë. Ky afat ka rrjedh 24 orë . Deri më tani janë paraqitur apo janë dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa gjithsej 65 ankesa”, ka thënë ai.

Desku ka thënë se kryesisht ankesat kanë qenë për mospërputhje të rezultateve.

“Kryesisht ankesat kanë qenë për mospërputhje të rezultateve. Për arsye se ne sot kemi pasur shumë punë me pranimin e tyre, me administrimin fizik edhe elektronik të këtyre ankesave kështu që për përmbajtjen e tyre nuk mund të prejudikojmë dhe të flasim për to, mirëpo kryesisht kanë të bëjnë me mospërputhje të rezultateve”, ka pohuar ai.

Ai ka shpjeguar edhe procedurat se çka do të rrjedh pas dorëzimit të këtyre ankesave.

“Paneli do të organizohet do t’i shqyrtojë, do t’i trajtojë, do t’i shikojë dhe verifikojë dëshmitë që janë paraqitur dhe do të marr hapa në qoftë se ka nevojë për t’i hetuar edhe të gjitha ato pretendime nëse ka nevojë për të hap kuti të votimit, për të rinumëruar kështu që ne i kemi 72 orë për të kryer këtë procedurë dhe për të marrë vendime lidhur me pretendimet ankimore në ankesa”, ka thënë ai.

Të ngjashme