Suedia mbështet fuqishëm Kosovën në integrimet euroatlantike

Prishtinë | 10 Nën 2016 | 16:23 | Nga

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka pritur sot në takim delegacionin nga Ministria e Punëve të Jashtme e Suedisë, të kryesuar nga Johannes Oljelund, Drejtor i Përgjithshëm për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në këtë Ministri.

Në këtë takim është biseduar për zhvillimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Suedisë, thellimin e tyre, përkrahjen e Suedisë në rrugën drejt integrimit evropian dhe euro-atlantik si dhe mbështetjen për reformat e përgjithshme nëpër të cilat po kalon Kosova.

U bisedua edhe për zbatimin e Strategjisë për zhvillimin e bashkëpunimit që ka Suedia me Kosovën dhe vendet tjera të rajonit, strategji kjo e cila ka ofruar mundësi për zhvillim në disa sektor.

Ministrja Tahiri vlerësoi lart mbështetjen e gjithanshme të Suedisë për forcimin e shtetit të Kosovës dhe shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve.

Ajo foli edhe për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, siç janë ajo për forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës për të rinjtë e vendit. Ajo tha se po punojmë që Kosova të bëhet një vend i mundësive dhe perspektivës për të gjithë qytetarët.

Po ashtu ministrja Tahiri ka folur edhe për zhvillimet e fundit në dialogun e Brukselit, rezultatet, por edhe sfidat me të cilat po ballafaqohet ky proces.

“Gjatë kësaj periudhe kohore ka progres të shënuar siç ishte rasti i heqjes së barrikadës nga ura në Mitrovicë dhe fillimi i revitalizimit sipas dinamikave të parapara. Por ka bllokada nga an e Serbisë në disa fusha, siç është kodi telefonik për Kosovën dhe fillimi i funksionimit të pavarur të Sistemit të Transmisionit Energjetikë të Kosovës, KOSTT”, tha ministrja Tahiri.

Sa i përket themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, ajo edhe njëherë e bëri të qartë se ky asociacion do të themelohet sipas ligjeve të Kosovës, marrëveshjes së Brukselit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, ndërsa potencoi se shuarja e të gjitha strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë, do të krijojë rrethanat e nevojshme për krijimin e Asociacionit.

Ministrja Tahiri tha se dialogu i Brukselit ka kontribuar për shtrirjen e sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të vendit përmes shuarjes së strukturave paralele në fusha të rëndësishme dhe ky proces do të vazhdoj së bashku me dinamikat në rritje të integrimit në institucionet e Republikës së Kosovës për qytetaret e komunitetit serb të asaj pjese.

Nga ana tjetër, z. Oljelund e falënderoi ministren Tahiri për pritjen si dhe foli për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe e siguroi atë se Suedia mbështet fuqishëm Kosovën në integrimet euroatlantike. Ai ka vlerësuar përparimet e mëdha të Kosovës si shtet i ri.

Në fund të këtij takimi u dakorduan për vazhdim të bashkëpunimit me qëllim avancimin e marrëdhënieve të gjithanshme, ndihmën për eurointegrim si dhe për përmbushjen e kushteve të fundit edhe për heqjen e vizave ndaj Kosovës, si një mundësi kjo e munguar për qytetarët e vendit tash e një kohë të gjatë.

Oljelund në këtë takim shoqërohej edhe nga Hanna Lambert, zëvendës drejtoreshë, Helena Lagerlöf, zëvendës drejtoreshë, Henrik Nilsson, Ambasador i Suedisë në Kosovë dhe Göran Paulsson, shef për bashkëpunim dhe zhvillim i Ambasadës suedeze në Prishtinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme