Supremja nesër vendos për ankesat zgjedhore

Prishtinë | 05 Kor 2017 | 19:48 | Nga

Deri në ora 14:00 të ditës së djeshme, në Gjykatën Supreme janë dorëzuar gjithsej tetë ankesa lidhur me procesin e zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, ankesa këto të bëra nga kandidatë për deputet apo subjekte politike.

E kontaktuar nga Indeksonline, Zyrtarja për Informim e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu ka hedhur poshtë lajmet e publikuara orë më parë nga disa media se sot do të bëhet publikimi i shqyrtimit të ankesave të dorëzuara në këtë Gjykatë.

Ajo ka theksuar se Gjykata Supreme do të respektojë afatin ligjor prej 72 orësh deri në përfundim të shqyrtimit të ankesave dhe publikimit të tyre.

“Afati për shqyrtimin e ankesave është 72 orë, periudhë që llogaritet nga dita e djeshme, ora 14:00. Gjykata Supreme është duke i shqyrtuar ankesat dhe besoj nesër do të përfundohen të gjitha”, ka thënë Uka-Lutfiu.

Gjithashtu zyrtarja për Informim ka shtuar se Gjykata do t’i mbajë të informuar të gjithë lidhur me çdo procesim të cilin do ta bëjë.

“Gjykata do t’ju njoftoj me kohë edhe për secilën ankesë veç e veç se si është vendosur”, ka përfunduar ajo.

Ankesat e bëra në Gjykatën Supreme ishin nga: Lista Serbe, Ankesa nga BIRN-i, Demokracia Plus (D+), e koalicionit Vakat-Prizren si dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme