Supremja: Salih Mekaj fajtor – duhej të dënohej

Prishtinë | 24 Qer 2019 | 08:05 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj, është fajtor në akuzat për korrupsion sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme. Shpallja e tij “i pafajshëm” nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit, sipas Supremes, është e jashtëligjshme, shkruan sot Koha Ditore.

Ish-vartësit e tij, gjyqtarët e Apelit, e kanë praktikuar, sipas Supremes, gabimisht ligjin në favor të Mekajt. Kjo ka bërë që ai të lirohej. Por vendimi, sipas kësaj gjykate, nuk është i ligjshëm.

Aktgjykimi i nxjerrë ditë më parë ka konstatuar shumë gabime të dy shkallëve të gjykatës – Themelores dhe Apelit, në aktgjykimin që e kanë liruar, përkatësisht e kanë provuar pafajësinë e Mekajt. Sipas Supremes, nëse ligji do të aplikohej drejt në rastin e Mekajt, ai do të duhej të shpallej fajtor.

Pak javë më parë aktgjykim të ngjashëm Supremja kishte lëshuar edhe për rastin ku i akuzuar ishte Emin Beqiri, ish-shefi i Krimeve Ekonomike në Policinë ë e Kosovës. As Mekaj e as Beqiri nuk do të mundë të ndiqen penalisht asnjëherë për këto vepra edhe pse Gjykata Supreme ka konstatuar që për lirimin e të dy zyrtarëve gjyqtarët e Apelit e kanë interpretuar gabimisht Kodin Penal, gjë që ka bërë që asnjëri nga ta të mos i nënshtrohet gjykimit e vendimit meritor të gjykatës.

Kjo pasi që Kodi i Procedurës Penale parasheh që nëse Gjykata e Apelit vendos jashtëligjshëm për një rast dhe nëse ligji interpretohet gabimisht në favor të të akuzuarit, i akuzuari të mos ndiqet më penalisht.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme