Surroi: Bisedimet Thaçi-Vuçiq për kufijtë, klandestine – “korrigjimi i kufijve” do të ngjallte tensione në rajon

Prishtinë | 02 Sht 2018 | 08:48 | Nga

Bisedimet e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me homologun e tij serb Aleksanadar Vuçiq, për kufijtë, publicisti Veton Surroi, i quan klandestine.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Surroi tha se presidenti Thaçi nuk ka legjitimitet për të zhvilluar bisedime të tilla me presidentin serb, dhe si rrjedhojë, tejkalon mandatin kushtetues.

Korrigjimi i kufijve, sipas Surroit, do të ngjallte tensione në tërë rajonin, derisa tha se opozita ka bërë mirë që ka ftuar seancë të jashtëzakonshme më 4 shtator.

Zoti Surroi, nga tavolina e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel është proklamuar edhe ideja e korrigjimit të kufirit. Si e shihni ju një ide të tillë?

Surroi: Ideja është kapërcim i i mënyrës së si do të duhej të biseduar, pra Kosova dhe Serbia, fillimisht duhet të bisedojnë për njohjen reciproke, rrjedhimisht për mënyrën se si, si shtete të pavarura do të bashkëpunojnë. Shtetet e pavarura mund pastaj të bisedojnë për korrigjimet e kufijve siç kanë bërë Holanda dhe Belgjika, por brenda një konteksti të bashkëpunimit edhe më afatgjatë dhe brenda një forme në të cilën nuk ekziston komponenta etnike.

Në rastin e Kosovës po bëhet bisedë klandestine, e paautorizuar për këmbim territoresh dhe këmbim popullate, që në fakt nuk e fuqizon as nuk i krijon konditat për marrëdhënie mes dy shteteve të pavarura.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen më 7 shtator. Prisni që të dy presidentët të shtyjnë përpara idenë e tyre për kufirin?

Surroi: Presidenti Vuçiq ka legjitimitet dhe legalitet të plotë, sipas sistemit kushtetues të Serbisë dhe sipas fuqisë politike të presidentit Vuçiq. Zotëri Thaçi nuk e ka atë legjitimitet e as nuk e ka legalitetin që të bisedojë për kufijtë. Pra, çfarëdo bisede e tij për kufijtë, është tejkalim i mandatit kushtetues.

Çfarë efekte mund të ketë për Kosovën dhe rajonin hapja e çështjes së kufijve?

Qysh tash ka efekt negativ, sepse krijon tensione, krijon iluzion në Kosovë se kjo çështje do t’i rregullojë marrëdhëniet. Në Maqedoni krijon një pritshmëri në moment jo të mirë, kur Maqedonia duhet të bashkohet e tëra, shqiptarë e maqedonas që të votojnë referendumin, i cili do të lejojë që Maqedonia të bëhet shtet-anëtar i NATO-s, që është interes kombëtar i Maqedonisë. Dhe është moment i keq për Bosnje dhe Hercegovinën, sepse është një shtet jo funksional, i cili gjithnjë është në teh të presionit për çështjen e korrigjimit të kufijve. Siç e pamë, kryetari i Republikës Serbe në Bonje dhe Hercegovinë, ishte i pari që reagoi pozitivisht ndaj kësaj çështje.

Ndërkohë, si e shihni ju rolin e opozitës në këtë proces?

Opozita ka bërë mirë që ka ftuar për seancë të jashtëzakonshme të parlamentit. Ajo duhet të vazhdojë të ndërtojë pozicion të përbashkët edhe me ato parti që janë në pushtet e të cilat ndjejnë se ky është një moment i rrezikshëm për Kosovën.

A rrezikon presidenti me shkarkim nëse mbetet i vetëm në idenë e tij për korrigjim të kufirit?

Fati i presidentit Thaçi është krejtësisht irelevant për çështjen e Kosovës. Fillimisht është interesi i Kosovës dhe jo i presidentit Thaçi. Zotëri Thaçi në mënyrë kontinuele ka bërë politikë ashtu që interesin e tij ta vë përpara interesave të Kosovës.

Po roli i bashkësisë ndërkombëtare, në këtë proces negociatash, sa konsideroni se ky mund të jetë vendimtar për përcaktimin e marrëveshjes së ardhshme Kosovë – Serbi?

Nocioni i bashkësisë ndërkombëtare, është nocion shumë i gjerë, por të themi që perëndimi në këtë rast, nuk ka një pozicion unik. Për fat të mirë pozicioni i Gjermanisë është krejtësisht i qartë dhe shpresojmë që të unifikohet, por para se ta mbrojë Kosovën Gjermania apo kushdo tjetër, Kosovën duhet ta mbrojnë kosovarët vetë.

A i shihni zgjedhjet si zgjidhje?

Çfarëdo zgjidhje është e duhur për Kosovën, në mënyrë që të dalë nga kjo theqafje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme