Surroi kategorik kundër ndryshimit të kufijve dhe për njohje të Kosovës nga Serbia, “zbulon” Vuçiqi

Prishtinë | 27 Mar 2019 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një debat në televizionin serb “Tv Happy”, ka folur për ato që ai i ka quajtur ankthe të tij, Kosovën dhe “rrezikun e serbëve të Kosovës nga sulmet e shqiptarëve” që, sipas tij, mund t’i bëjnë kundër tyre, jo vetëm në veri por edhe në enklava të tjera serbe.

Duke folur për obsesionin e tij për korrigjimin e kufijve ose këmbimin e territoreve Serbi- Kosovë, Vuçiqi e ka përmendur shkrimtarin e publicistin kosovar, Veton Surroi.

Pasi Surroin e ka cilësuar intelektual ‘par exellance’, Vuçiqi ka pasur “një vërejtje të madhe ndaj tij” pasi që Veton Surroi, në paraqitjet e tij para opinionit serb në javën e shkuar, ka kundërshtuar kategorikisht ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve me Serbinë.

“E keni parë, intelektuali shumë i shquar i Kosovës, Veton Surroi, angazhohet për hapjen e fabrikës së Volkswagenit në Serbi, por ai e kundërshton kategorikisht korrigjimin e kufijve Serbi – Kosovë”, ka thënë Vuçiqi, transmeton Koha.net.

Presidenti serb, në këtë emision, po ashtu ka thënë se Surroi pa ekuivoke dhe shprehimisht është për njohje të pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Të ngjashme