Sveçla e Qalaj vizituan pikë-kalimin kufitar në Merdare

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 14:09 | Nga Ekonomia Online

U.d Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, drejtori i Departamentit për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave të MPBAP-së, Dardan Koçani dhe drejtori i Departamentit të Policisë Kufitare, Shaban Guda, vizituan Pikë-Kalimin Kufitar në Merdare, për tu njoftuar nga afër me mbarëvajtjen dhe funksionimin e qarkullimit ndër-kufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Ministri Sveçla i pa nga afër objektet dhe infrastrukturën në këtë pikë-kalim e cila është financuar në vlerë rreth 6 milion euro nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Marrëveshjeve për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, të nënshkruara në Bruksel në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. 

Pika e kalimit kufitarë në Merdare është ndër kalimet kufitare më moderne në rajon dhe një ndër pikat më të frekuentuarat të qarkullimit në Republikën e Kosovës.

Agjencitë të cilat funksionojnë në Merdare krahas Policisë së Kosovës, janë: Dogana e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, të cilat disponojnë teknologji dhe infrastrukturë moderne dhe me standarde ndërkombëtare për kontrollimin e personave dhe mallrave.

Në këtë pikë janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe janë të gatshme në momentin që Qeveria e Republikës së Kosovës vendos për hapjen e plotë të qarkullimit ndër-kufitar. ​​

Të ngjashme