Sveçla: Ligji për Paga afër finalizimit, kërkuam që Ligji të jetë në përputhje me kapacitet buxhetore

Prishtinë | 27 Pri 2022 | 15:31 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka treguar sot se pse nuk u soll për miratim në Qeveri në muajin mars, Ligji për Pagat në Sektorin Publik, duke thënë se duan që Ligji të jetë në përputhje me kapacitet buxhetore të Kosovës dhe se kjo është arsyeja për vonesat e sjelljes për miratim të këtij ligji, raporton Ekonomia Online.  

Gjatë raportimit në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rural, Sveçla tha se janë duke punuar në detaje për këtë Ligj.

Duke u përgjigjur në pyetjen e deputetit të VV-së, Besim Muzaqi, Sveçla tha se duan që Ligji të jetë në përputhje me kapacitet buxhetore të Kosovës dhe se kjo është arsyeja për vonesat e sjelljes për miratim të këtij ligji.

“Nëse u referohemi datave si numra, po kemi vonesë. Kjo është për arsyen e vetme është që ne po punojmë për një Ligj i cili mbulon gjithë sferën e nevojave të të gjitha institucioneve veç e veç dhe me sjell një lloj barazie për secilin për punën e njëjtë. Normalisht që kjo nuk është e lehtë të arrihet. Ka edhe kërkesa e aspirate të drejtë të punonjësve të institucioneve të veçanta që statusi I tyre të përmirësohet në kuptimin e pagës, por gjitha këto duhet pastaj të krahasohen me njëra tjetrën. Duhet edhe që të jenë në përputhje me kapacitetet buxhetore të Kosovës”, ka deklaruar ministri.

Më tutje, Sveçla tha se nuk do të bëjnë një ligj që sipas tij do  të jetë pengesë për zhvillimin e vendit.

“Nuk do të bëjmë një ligj që do të jetë pengesë e zhvillimit të vendit tonë. Nuk do të bëjmë një Ligj që do të sjellë padrejtësi, i cili ka rrezik të na kthehet mbrapsht nga Gjykata Kushtetuese. Do të bëjmë  një Ligj i cili bazuar në mundësitë modeste të vendit tonë do të paguajnë secilin për punën e tij që e bën”, tha më tutje ai.

Sveçla foli edhe për reformën në Administratë Publike, për të cilën tha se Kosova e ka të mbingarkuar.

“Paradite dikush ta argumenton këtë qasje, pasdite dikush vjen ta argumenton më bindshëm qasjen tjetër. Nuk është qasje e një personi a një ekipi, por është punë gjithëpërfshirëse e shumë njerëzve. Do të inkuadrohen edhe grupet e interesit edhe shoqërisë civile. Të jetë një ligj i drejtë për shumicën e zyrtarëve qe preke nga ky ligj. Kosova me administratë të mbingarkuar, me kapacitetet tona po përpiqemi të bëjmë më të mirën e mundshme”, tha Sveçla.

Deputeti i PDK-së, Isak Shabani, kërkoi të di sa i përket Ligjit të Pagave dhe inspektimit administrativ.

Ai pyeti edhe për emërimin e një udhëheqësi në zyrën e prokurimit, ndonëse tha se janë edhe dy të tjerë.

“Tash dy vite ka filluar ky proces, sa keni arrit me bo nxjerrjen e rregulloreve, jo vetëm për ministrinë e juaj po edhe ministritë e tjera. Ligjet si ai i pagave dhe ai për inspektimin administrativ, sa keni arrit deri tash që ta bëni sqarimin e qytetarëve lidhur me objektivat dhe qëllimin e këtyre ligjeve”, pyeti Shabani.

Por Sveçla nuk ishte në dijeni për këtë. Tha se përgjigjen do t’ua dërgojnë me shkrim.

“Unë do të interesohem në detaje dhe me shkrim do t’ua paraqes të gjitha informatat sa i përket përgjegjësit për prokurim. Por se si është konkretisht, në këtë pikë do të merrni përgjigje me shkrim qoftë nga unë qoftë nga sekretarja e përhershme e Punëve të Brendshme”, tha Sveçla.

Lexo më shumë:

Të ngjashme