Sveçla nuk raporton në Komisionin për Administratë Publike – Kritikohet nga Opozita

Prishtinë | 02 Gus 2022 | 14:11 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partitë opozitare në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, kanë kritikuar ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratë, Xhelal Sveçla, për mosraportim në këtë Komision, raporton Ekonomia Online.

Sveçla ishte i ftuar për ta prezantuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive ekzekutive.

Me këtë rast zëvendësministri Bardhyl Dobra paraqiti dhe arsyetoi projektligjin në fjalë.

Sipas tij, në kuadër të reformës së administratës, përkatësisht me valën e dytë të racionalizimit të agjencive, ky projektligj parasheh që Agjencia për Rrezatim dhe Siguri Bërthamore dhe Agjencia për Efiçiencë të Energjisë, të shndërrohen në departamente në kuadër të ministrive përkatëse.

“Qeveria e ka miratuar projektligjin ne fjale pastaj është përcjellore në kuvend. Ne vitin 2018 qeveria e atëhershme ka aprovuar planin e veprimit të saj i cili është miratuar projektligji për valën e parë të racionalizimit. Përmes valës së dytë pritet të racionalizohen dy agjenci. Agjencia për efiçencë të energjisë dhe për rrezatim dhe siguri bërthamore. Propozohet që brenda 6 muajve ministria për mjedis të propozojë për miratim. Ne këtë drejtim përcaktohet se të punësuarit aktual vazhdohet ta kenë statusin e nëpunësit civil për rrezatim. Nëpunësit do barten brenda ministrisë së agjencisë për efiçiencë”, tha Dobra.

Duke kërkuar miratimin e këtij Projektligji, Dobra nuk dha detaje për numrin e të punësuarve në këtë Agjenci.

“Nuk është detyrë e jona ta caktojmë numrin e stafit. Ka pasur diskutime të brendshme dhe rritjen e kuadrove ministria për mjedis do ta vendosin dhe do t’i caktojnë edhe çështjen e stafit. Krijimi i një numri të limituar të institucioneve ka shkaktuar këtë gjendje ku jemi sot. Të pasur një agjenci për efiçencë nuk na garanton që do të ketë sukses”, tha ai.

E deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, tha se injorimi i ministrit ndaj komisionit tregon edhe për prioritetin që ka ndaj këtij projektligji.

“Pa e nënvlerësuar askënd kisha kërkuar të ftohet ministri sepse është përgjegjës për projektligjet në fjalë. Nuk ka nevoje me na përcaktu a lëshojmë mbledhjen a jo. Këtu është çështje llogaridhënie”, tha Lushtaku.

Njëjtë mendon edhe deputeti i LDK-së, Agim Veliu, i cili kërkoi të vijë për raportim ministri Xhelal Sveçla.

“Edhe unë mendoj që do të duhej të ishte ministri në takim. Dhe nuk është hera e parë që ministri nuk i përgjigjet ftesës së komisionit. Meqë po e arsyetoni ministrin mua më intereson të dijë a ka komunikim mes jush dhe ministrit”, tha Veliu.

E për deputeten e VV-së, Daorsa Kica-Xhelili, nuk është fort problem kush raporton, derisa thotë se mungesa të ministrave ka pasur në secilën Qeveri.

“Unë e kam të rëndësishme qe puna të kryhet. Unë nuk e kam obligim të kërkoj justifikime nga ministri. Për mua është e parëndësishme a vjen ministri përderisa marr projektligjet. Në secilën qeveri ministrat kanë munguar. Puna e komisionit nuk mund te bllokohet. Ne këtë mbledhje janë ftuar edhe anëtarët për ekonomi dhe bujqësi që i mbikëqyrin këto agjenci por nuk kanë ardhur”.

Deputeti i AAK, Besnik Tahiri, foli për marrëveshjen që është nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe MCC-së. Ai kundërshtoi shuarjen e Agjencisë për Efiçencë të Energjisë.

“Ne atë kohë çështja e energjisë nuk ka qenë në situatën që jemi tani. Marrëveshja që është nënshkruar me MCC e forcon ne masë të madhe efiçencen e energjise. Sot agjencioni për efiçiencë është kyç i politikës programore që Kosova e ka. Andaj e kundërshtoj këtë ligj dhe iu sugjeroj me diskutu me ministri Sveçla sepse shuarja e agjencisë bie ndesh me politikë që ka qeveria. Mos e sillni në seancë por diskutoni sepse s’ka logjikë shuarja e kësaj agjencie për efiçiencë të energjisë është papjekuri dhe e kundërshtoj dhe nuk e votoj. Agjencia e Kosovës për efiçencë shkon në ministrinë përgjegjëse për energji. Ajo ministri a është për ekonomi a për energji a cka?. Është gabim fondamental me shua këtë agjenci”, tha ai.

Pas ezaurimit të debatit, komisioni me shumicë votash miratoi në parim projektligjin, duke e proceduar për shqyrtim të mëtejmë në Kuvend.

Të ngjashme