Sveçla: Serbia s’ka guxim dhe kapacitete për ta sulmuar Kosovën –

Prishtinë | 02 Gus 2022 | 19:54 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka akuzuar Serbinë për zhvillimet e fundit në veri, duke thënë se Kosova çdo lloj kërcënimi nga Beogradi zyrtar do ta përballojë me aleatët e saj ndërkombëtarë.

Sveçla pasi konfirmoi se nuk ka më barrikada në veri të Kosovës, u shpreh se për situatën e krijuar përgjegjësia rëndon mbi Serbinë.

Sipas tij, shumica e zyrtarëve të lartë serbë kanë qenë zyrtarë të lartë edhe në kohën kur Serbia ishte në Kosovë.

“Ushqejnë lidhjet me Rusinë. Kuptohet dhe Serbia dhe politika e saj në rajon varet nga Rusia. Serbia vijon të ketë raporte ekonomike, politike dhe ushtarake me Rusinë dhe Bjellorusinë. Rusia po përpiqet ta shfrytëzojë në maksimum situatën e krijuar. Influenca në Serbi e Rusisë është shumë e madhe“, theksoi Sveçla në një intervistë për RTSH-24.

Sveçla tha se Kosova është e sigurt ndaj çdo lloj inkursioni të Serbisë në rajon.

“Pozicioni i Kosovës është i qartë. Jemi shtet i pavarur dhe sovran. Njihemi nga shumica e shteteve demokratike. Kemi një zhvillim të kënaqshëm, përkundër zhvillimeve ndërkombëtare. Çfarëdo lloj kërcënimi që të na vijë, ne do ta përballojmë me aleatët tanë. Kemi bashkëpunim me NATO-n. Kemi trupat e KFOR-it. Kosova është e sigurt ndaj çdo inkursioni serb. Jemi të kujdesshëm, por jo të frikësuar. Po punojmë në planin politik të afirmojmë Kosovën dhe të forcojmë lidhjet me miqtë tanë”, theksoi ai.

Sveçla u shpreh ndër të tjera se është i bindur se Serbia tenton të keqpërdorë shtetasit e Kosovës nga komuniteti serb.

“Nuk ka guxim dhe kapacitete për të sulmuar Kosovën. Ka pozicionim legal të NATO-s dhe KFOR-it për mbrojtjen e territorit të Kosovës. Ka vetëm rikonfimim të NATO-s që Serbia nuk tolerohet”, theksoi Sveçla.

Të ngjashme