Sveçla vazhdon takimet në SHBA, takohet me ​Chriss Landberg – Kosova partnerë i besueshëm për të luftuar terrorizmin

Prishtinë | 13 Mar 2022 | 13:15 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjatë vizitës në SHBA ka zhvilluar takim edhe me përfaqësues të Departamentit të Shtetit, Byrosë kundër Terrorizmit si dhe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Parë për Byronë e Sigurisë Diplomatike dhe Drejtorin e Shërbimit të Sigurisë Diplomatike, Carlos F. Matus.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka shkruar se të gjithë i ka falënderuar për bashkëpunimin, koordinimin e proceseve dhe profesionalizmin në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Ministri ka bërë të ditur se Chriss Landberg, zëvendës Koordinator për Reagim ndaj Krizave dhe Politikave Teknike në Byronë e Kundër Terrorizmit, Departamenti i Shtetit të SHBA-së, theksoi se Republika e Kosovës dhe MPB janë partnerë të besueshëm dhe të fortë në përpjekjet e tyre për të luftuar terrorizmin dhe theksoi faktin se Kosova është një shembull në rajon në lidhje me punën e bërë në fushën e luftimit të terrorizmit, parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe riintegrimin dhe riatdhesimin e njerëzve nga Siria.

Postimi i plotë:

Gjatë vizitës sime në SHBA, pata kënaqësinë të takohem me përfaqësues të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Byrosë kundër Terrorizmit si dhe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Parë për Byronë e Sigurisë Diplomatike dhe Drejtorin e Shërbimit të Sigurisë Diplomatike, z. Carlos F. Matus.

Shfrytëzova rastin ti falënderoj për bashkëpunimin, koordinimin e proceseve dhe profesionalizmin në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, duke përfshirë angazhimin tonë të vazhdueshëm në procesin e riatdhesimit të luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre si dhe në përpjekjen tonë të përbashkët për të zbatuar me sukses evakuimin e qytetarëve afganë.

Chriss Landberg, Zëvendës Koordinator për Reagim ndaj Krizave dhe Politikave Teknike në Byronë e Kundër Terrorizmit, Departamenti i Shtetit të SHBA-së, theksoi se Republika e Kosovës dhe MPB janë partnerë të besueshëm dhe të fortë në përpjekjet e tyre për të luftuar terrorizmin dhe theksoi faktin se Kosova është një shembull në rajon në lidhje me punën e bërë në fushën e luftimit të terrorizmit, parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe riintegrimin dhe riatdhesimin e njerëzve nga Siria.

Në këtë takim u vlerësua lartë angazhimi i Republikës së Kosovës, si anëtare e “Koalicionit Global Kundër DAESH-it (ISIS/ISIL)” i cili dha rezultate konkrete në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe e pozicionoi Kosovën si një vend të qëndrueshëm dhe partner serioz në luftën kundër terrorizmit global.

Ndërsa gjatë takimit me Z. Matus, u vlerësua lartë bashkëpunimi me Kosovën në terren dhe gatishmërinë për sigurimin e shkëmbimit në kohë të informacionit si dhe Z. Matus përgëzoi gatishmërinë tonë për strehimin e përkohshëm të qytetarëve afganë si dhe përkushtimin në luftimin e krimit.

Shkëmbyem pikëpamjet tona për fokusimin e mëtejmë në Policinë e Kosovës dhe po ashtu shprehëm nevojën për të vazhduar bashkëpunimin në projekte të përbashkëta në ngritjen e kapaciteteve të institucionit tonë në fushën e sigurisë, me fokus sigurinë kibernetike përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Kosova është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përfshirjen e saj në programet që kontribuojnë në institucione efikase në luftimin e krimit, korrupsionit dhe sundimit të ligjit që do të garantojnë siguri për rajonin dhe më gjerë.

Të ngjashme