Sveçla vizitoi Qendrën e Studentëve, kërkon nga qytetarët në karantinë të bashkëpunojnë

Prishtinë | 21 Mar 2020 | 16:35 | Nga Ekonomia Online

U.D i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, i shoqëruar nga zëvendësministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Enver Dugolli dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, vizituan sot Qendrën e Studentëve, e cila po shërben si karantinë për qytetarët që kthehen nga vendet e BE-së. Aty u pritën nga zëvendësministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Izet Sadiku.

Gjatë vizitës Sveçla zhvilloi biseda të ndara me personelin shëndetësor, zyrtarët policor që po e menaxhojnë këtë qendër dhe me disa qytetarë që po qëndrojnë në karantinë.

Gjatë bisedës me qytetarët u.d i Ministrit të MPBAP-së, Xhelal Sveçla, u bëri me dije masat që ka marrë Qeveria e Kosovës dhe kërkoi mbështetjen e qytetarëve që t`i mirëkuptojnë dhe respektojnë këto vendime duke qëndruar në karantinë. Ai tha se vetëm një bashkëpunim i mirë mes institucioneve dhe qytetarëve do të ndihmojnë në tejkalimin e situatës pandemike në Kosovë.

“Natyrisht që ne jemi të vetëdijshëm që qëndrimi në karantinë në raste të tilla nuk janë të dëshirueshme, por janë të domosdoshme, për ruajtjen e jetës dhe shëndetit tuaj dhe familjeve tuaja, për mos përhapjen e virusit në shoqëri”, theksoi Sveçla.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme