S’votohet rezoluta për kufijtë, LDK-ja dhe VV-ja lëshojnë seancën

Prishtinë | 01 Nën 2018 | 12:16 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të miratojë rezolutën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, raporton Ekonomia Online.

Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë lëshuar sallën menjëherë pas mos-votimit të rezolutës. Me 50 vota “për” kjo rezolutë nuk kaloi. Kuvendi ka nisur seancën e re ndërsa aktualisht në sallë janë rreth 50 deputetë.

Fillimisht shefat e Grupeve Parlamentare në takimin e mbajtur gjatë pauzës së seancës, nuk arritën që të harmonizojnë qëndrimet. Ndonëse nuk folën për media pas takimit qëndrimet e tyre i bënë të dituar në sallën e Kuvendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti tha se nuk është arritur marrëveshje për harmonizimin e pikave të rezolutës.

“Të gjitha grupet diskutuam, nuk kemi arritur të dakordohemi megjithatë ne si propozues ne kemi shpreh që pikën 6 të rezolutës ta riformulojmë dhe ajo do të duket kështu:Kuvendi i Kosovës rithekson qe kushtetuta sovraniteti dhe integriteti territorial janë të pacenueshëm. As presidenti e askush tjetër nuk ka të drejtë të negocioj. Ne jemi të gatshëm ta hedhim në votim”.

Memli Krasniqi shef i grupit parlamentar të PDK-së, tha se opozita nuk po i jep zgjidhje kësaj rezolutë derisa theksoi që nuk do të marrin pjesë në votim.

“Ne u takuam por me keqardhje nuk pat vullnet që të dakordohemi. Neve na u pamundësua që të dalim nga situata që ishim dje. Unë nuk besoj qe ka arsye të mos përfshihen e votohen edhe pikat që i kemi fut ne dje. Sepse ato flasin edhe për atë çka duhet bërë në fazat e ardhshëm. Është për keqardhje që pas një debati të gjatë, ne arritëm ta përmbyllim këtë diskutim”.

“Është një lojë kolitke. Është përtej debatit ditor dhe përtej politikes momentale, në këtë mënyrë nuk po i japim zgjidhje as Kosovës as qytetarëve. Ne nuk do të marrim pjesë fare në votim sepse ky kurth i padrejtë qe po tentojnë ta fusin koalicionin ne nuk do të bimë”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së Glauk Konjufca, tha se është e domosdoshme që presidentit t’i ndalohet të diskutojë me Serbinë, raporton EO.

“Ne nuk e kemi me presidentin personalisht mirëpo pozita është lidhur me emrin e tij. Ky është problemi dhe dallimi kryesor. Sa i përket rezolutës kjo padyshim që ne nuk mund të shkojmë në një platformë të re për dialogun me Serbinë”.

“Kjo nuk i takon kësaj legjislature sepse nuk i ka numrat. Situata që jemi tash kërkon vetëm masa preventive, dhe situata që jemi tash është që presidentit me ja ndalu me u marr me atë temë”.

Shefi i Grupit Parlamentar të PSD Dardan Sejdiu tha se e përkrahin rezolutën.

“Ne si PSD qysh me 20 korrik e kemi iniciuar një mocion përmbajtësor që e kthen dialogun në Kuvend. Unë kam shpreh qëndrimin pro kësaj rezolute. Ne si PSD do të angazhohem që Kuvendi të jetë vendi dhe institucioni që dialogu kthehet dhe merren idetë. PSD do të përkrah këtë rezolutë, por nuk mendoj që qëndrimi në pozicione të ngurta, krijon hapësirë për të kalim të problemeve”.

Ahmet Isufi shef i grupit parlamentar të AAK-së tha se po shikohen vetëm interesat politike dhe jo i vendit, raporton EO.

“Nuk pat gatishmëri që të bëhet ky harmonizim dhe ende po vazhdojmë në avazin e vjetër duke u pozicionuar në atë që thonë vetë. Ne e kemi thënë se askush nuk ka të drejtë të dialogojë për territorin e vendit. Është e kotë të flasim për rezolutë dhe harmonizim dhe anën tjetër të pozicionohem vetëm ne atë se çka e thonë vetë”.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate Bilall Sherifi, tha se nuk ekziston vullnet i opozitës për ta harmonizuar rezolutën.

“Nuk është e saktë që në ishim kundër harmonizimit të rezolutës. Ne u pajtuam që pika e propozuar nga opozita të qëndrojë mirëpo jo të barrikadohet. Ne ishim të gatshëm te hiqnim dorë edhe nga disa pika tjera qe i propozuam dje. Ne mendojmë që rruga e vetme për të ndal një proces të tillë është qe ky kuvend të harmonizojë rezolutën”.

Të mërkurën gjithë ditën me kërkesë të 42 deputetëve Kuvendi u mblodh në seancë të jashtëzakonshme.

Në mungesë të kuorumit Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në ora 13:30.

 

 

Të ngjashme