Syla thirrje Kurtit: Mos e vështirëso jetën e çlirimtarëve

Prishtinë | 09 Dhj 2021 | 12:31 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i OVL UÇK Pejë dhe ish drejtor i Zyrës për Çështjen e Kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së, Gazmend Syla ka thënë se veteranët e luftës po vdesin, e familjet e tyre po keqtrajtohen nga Zyra për Çështjet e Kategorive pranë zyrës së kryeministrit e cila e ka për obligim t’ju shërbejë. Atyre nuk iu mundësohet të marrin as 119 euro pension që ju takon.


Syla përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se familjet e veteranëve të luftës të cilët kanë vdekur, nuk po i marrin pensionet për shkak të gabimeve teknike në emërtimin e vendbanimit.


“Gruaja e luftëtarit të vdekur, me katër fëmijë jetima, nuk ka mundësi ta marrë pensionin e burrit të ndjerë, për shkak të gabimeve teknike të llojit “Trestenik – Terstenik”, “Logjë – Loxhë”, apo “Baran – Baranë”.
“Zyra për Çështjet e Kategorive të dala nga Lufta në Zyren e Kryeministrit, në vend që të korrigjojë këto gabime, kanë kthyer prapa me dhjetëra raste si ai që e cekëm më lartë”, ka shkruar Syla.


Ai ka thënë se gabime të kësaj natyre ka në secilin institucion porse ato janë rregulluar nga zyrtarët.
“Probleme teknike ka në secilin institucion, edhe në zyrën në fjalë, por gjithherë janë rregulluar nga zyrtarët deri para ardhjes së qeverisë Kurti. E kanë shumë të lehtë. Numri unik personal, që e ka secili qytetar i Kosovës, nuk lë vend për gabime”.


“Shumë luftëtarë të UÇK-së u mashtruan dhe e votuan Kurtin, e me këtë mundësuan që njerëzit e papërgjegjshëm e pandërgjegjshëm të punojnë në Zyrën e Kategorive të Lirisë. Sot ju bëj thirrje atyre, që t’i flasin e ta bindin kryeministrin që e sollën në pushtet, që të lehtësojë e jo të vështirësojë jetën e familjeve të bashkëluftëtarëve të tyre të vdekur”, është shprehur Syla.
Ai ka pyetur zyrtarët shtetëror nëse ata po i marrin pagat.


“Veteranët po vdesin, e familjet e tyre po keqtrajtohen nga zyra e cila e ka për obligim t’ju shërbejë. Atyre nuk iu mundësohet të marrin as 119 euro pension që ju takon”.
“Po ju zyrtarë, a po i merrni pagat me kohë?”, ka pyetur Syla.

Të ngjashme