Szunyog: Dëshirojmë që Ballkani të jetë stabil dhe i integruar në Evropë

Dragash | 10 Maj 2022 | 14:26 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Udhëheqësi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka zhvilluar një takim me të rinjtë e Dragashit, ku tema diskutimi ishin rrugëtimi i Kosovës drejt BE-së, mundësitë e të rinjve në Kosovë dhe BE, energjia e gjelbër, si dhe transformimi digjital, raporton Ekonomia Online.

Në bashkëbisedim me të rinjtë, ambasadori Szunyog foli për punën që bën Zyra e BE-së dhe shtetet anëtare të BE-së këtu për përafrimin e Kosovës drejt vlerave evropiane.

“80 për qind e punës tonë përqendrohet në integrimin e Kosovës në BE dhe këtë po e bëjmë për ju të rinj, sepse besojmë që jeni evropianë dhe mund të kontribuoni në Bashkimin Evropian dhe në të ardhmen do të jeni anëtarë dhe qytetarë të Evropës”.

“Duam ta shohim Kosovën në vijë me prioritetet evropiane dhe për këto prioritete duhet të përmend diçka që është fatkeqe – lufta që po ndodh në Ukrainë. Dëshirojmë që Ballkani të jetë stabil dhe i integruar në Evropë dhe i mbrojtur kundër kërcënimeve të destabilizimit të mundshëm”, thekoi përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë.

“E dyta që është energjia e gjelbër, pra përpjekja e Bashkimit Evropian për ta ndryshuar mënyrën në të cilën punon ekonomia evropiane është që ajo të jetë e qëndrueshme në planin afatgjatë, për t’i ndalur ndryshimet klimatike”, tha ambasadori.

Nga të rinjtë u përmend mungesa e liberalizimit të vizave për kosovarët, me ç’rast ambasadori Szunyog tregoi se këtë fakt e përmend sa herë që takohet me drejtuesit e Bashkimit Evropian.

“Sa herë që shkoj në Bruksel e përmendi që Kosova i ka përfunduar punët për liberalizim. Ende nuk është vendosur dhe për këtë ndjej keqardhje se nuk është në dorën time, por të 27 vendeve anëtare. Është një çështje mjaft që e ngarkon marrëdhëniet tona. Dje kishte një protestë të studentëve… Qeveria e Kosovës duhet ta luajë rolin e saj, por ekziston mundësia që Kosova të bisedojë me ministrat e 27 vendeve që janë anëtarë që ata të binden se liberalizimi i vizave është i duhur. Shpresoj që kjo do të bëhet së shpejti”, tha Szunyog.

Ambasadori u pyet nëse liberalizimi i vizave ndërlidhet me zhvillimin ekonomik apo është çështje politike më shumë?

“S’ka të bëjë me zhvillim ekonomik, por me kornizë ligjore që duhet të jetë në standardet e BE-së. Çdo vit ne publikojmë raportin për të shprehur gatishmërinë e Kosovës për anëtarësim, e aty në raporte thuhet se është herët që Kosova t’i bashkëngjitet BE-së. Ajo që është me rëndësi në aspekti politik, kërkohet një unitet dhe janë pesë shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën”, tha tutje ai.

Ambasadori Szunyog tregoi se krahas ndihmës dhe këshillave që i japin Kosovës në procesin e integrimit evropian, ka dhe shumë investime në ekonominë e Kosovës nga shtetet e BE-së – të cilat kapin shifrën e rreth 80 milionë eurove në vit.

Të ngjashme