Szunyog e sheh pozitive që Kurti tash e radhit dialogun si prioritet të katërt, vaksinat arrijnë në mars

Prishtinë | 28 Shk 2021 | 08:49 | Nga Enea Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, e sheh si pozitiv deklarimin e kandidatit për kryeministër, Albin Kurti, se dialogu me Serbinë do të jetë ndër katër prioritet e para të Qeverisë tij; ndërkohë që më herët kishte deklaruar se dialogu nuk është fare prioritet.

Szunyog në një intervistë për Ekonomia Online tha se dialogu nuk është i rëndësishëm vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin.

“Unë e kuptoj që ka një zhvillim pozitiv në ato deklarata nga të mos qenit aspak prioritet, në të qenurit prioritet numër gjashtë, tani është prioritet i katërt, kështu që unë mendoj se po shohim shenja të mira, pasi dialogu është i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën por edhe për të gjithë rajonin”, tha ai.

Kosova vazhdon të jetë ende i vetmi vend në rajon, i cili nuk ka arritur të sigurojë asnjë lloj të vaksinës kundër sëmundjes Covid-19, që shkakton ky virus. Por sipas Szunyog, kontingjenti i parë i dërgesave të vaksinave kundër Coronavirusit pritet të arrijnë në muajin mars.

“Ne jemi duke pritur shpërndarjen e parë të vaksinave, shpresoj në javët ose ditët e ardhshme. E përsëris, është shpresa ime por po në mars”, tha shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Bashkimi Evropian është duke punuar që të krijohet një stabilitet institucional në Kosovë. Szunyog thotë se është duke zhvilluar takime me liderët e partive në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje në zgjedhjen e presidentit, pasi siç thotë ai BE-ja është e interesuar të punojë me një qeveri stabile dhe afatgjate.

Ndërsa sa i përket liberalizimit të vizave, Szunyog thotë se Bashkimi Evropian si institucion i ka kryer obligimet ndaj Kosovës, ndërsa tani është detyrë e institucioneve vendore  të zhvillojnë takime me shtetet të cilat janë kundër këtij procesit, në mënyrë që t’i bind këto vende për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Tutje, ai tha se hapja e ambasadës në Jerusalem nuk është në linjë me politikën e BE-së, duke shtuar se Kosova duhet të ndjekë prioritetet e politikave të jashtme të Bashkimit Evropian nëse aspiron të bashkohet në këtë institucion.

INTERVISTA E PLOTË:

EO: Si e vlerësoni procesin zgjedhor në Kosovë, dhe po ashtu si i komentoni veprimet e politikanëve që gjatë fushatës zgjedhore kanë mbajtur tubime elektorale pa respektuar masat parandaluese për përhapjen e Covid-19?

Szunyog: Për zgjedhjet, mendoj se ishte një sfidë e madhe për institucionin e Kosovës sepse koha ishte e shkurtër, padyshim që pandemia e Covid-19 është akoma këtu, por dhe gjithashtu ishte koha e dimrit. Duhet të them se kam vizituar pesë vend votime gjatë ditës së zgjedhjeve dhe isha mjaft i impresionuar nga profesionalizmi i Komisionit Zgjedhor, gjithashtu më bëri përshtypje një numër i madh njerëzish që erdhën për të votuar, kështu që unë mendoj se në përgjithësi, ne vlerësojmë pjesën teknike të zgjedhjeve si të organizuara mirë dhe pjesëmarrja ishte vërtet mbresëlënëse duke pasur parasysh vështirësitë. Për sa i përket masave Covid-19 dhe fushatës elektorale, ne jemi vërtet të zhgënjyer sepse pandemia është akoma këtu, ajo nuk po zhduket dhe nëse shikoni shifrat që ato janë rritur, unë tani duhet të spekuloj se këto janë rezultatet e fushatës zgjedhore, kështu që ne jemi të zhgënjyer që partitë politike organizuan ato tubime të mëdha që ishin kundër rregullave dhe ne do të dëshironim që të gjithë të respektonin masat dhe me të vërtetë të përpiqeshin të shmangnin infeksione të mëtejshme.

EO: Cilat janë pritshmëritë e juaja me konstituimin e qeverisë së re, dhe cilat duhet të jenë prioritet e saj sipas jush?

Szunyog: Së pari, ajo që ne do të dëshironim të shihnim është një krijim i shpejtë i institucioneve, përfshirë konstituimin e parlamentit, e qeverisë por edhe zgjedhjen e presidentit. Sigurisht, padyshim, ne do të dëshironim të shihnim një qeveri e cila do të zgjasë më shumë se kjo aktuale. Ideale është një mandat i plotë katër vjeçar. Gjithashtu, një parti që ka një shumicë të qartë në parlament dhe që mund të miratojë legjislacione. Ato që po dëgjoj nga liderët politikë është që ata të gjithë e konfirmojnë se integrimi në BE është një nga përparësitë , unë jam gjithashtu i inkurajuar nga përqendrimi i shtuar në çështjet e sundimit të ligjit, e cila është me të vërtetë e rëndësishme, në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës, por edhe në arsimin dhe përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe të tjerave. Kështu që të gjitha prioritet  qëndrojnë dhe janë shumë në përputhje me marrëveshjen e asociim-stabilizimit, por edhe me prioritetet tona, por përsëri kemi nevojë për partnerin me të cilin mund të punojmë në plan afatgjatë për prioritete strategjike për Kosovën dhe popullin e saj.

EO: Si e komentoni deklaratën e e partisë fituese se dialogu me Serbinë nuk është prioritet për qeverinë e tyre?

Szunyog: Mendoj se padyshim që Kosova nuk është një ishull dhe mendoj se mund të zhvillohet vetëm në një rajon të caktuar me të gjithë fqinjët. Dhe unë mendoj që prandaj procesi i dialogut të integrimit në BE është i pashmangshëm, kështu që unë mendoj se rruga që të çon për në BE është përmes dialogut. Unë e kuptoj që ka një zhvillim të caktuar pozitiv në ato deklarata nga të mos qenit aspak prioritet, të qenurit prioritet numër gjashtë, tani është prioriteti katërt, kështu që unë mendoj se po shohim shenja që ka një kuptim më të mirë se dialogu është i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën por edhe për të gjithë rajonin, dhe një rajoni i zhvilluar është ajo që ne dëshirojmë ta promovojmë.

EO: Kosova është pajtuar të hap ambasadën e saj në Jerusalem si pjesë e marrëveshjes së Washingtonin. Për këtë Bashkimi Evropian është kundër, ndërsa ShBA-të janë pro. A jeni duke e vendosur Kosovën në një pozitë të vështirë, pasi duhet të zgjedh mes dy aleatëve?

Szunyog: Mirë për këtë unë mund të them vetëm që unë po ua komunikoj qartë homologëve të mi të Kosovës që synimi për të hapur një ambasadë në Jerusalem nuk është në linjë me politikën e BE-së, nuk është në përputhje me prioritetet e sigurisë së jashtme dhe gjithashtu Bashkimi Evropian beson që nuk është në përputhje me angazhimet e tjera ndërkombëtare të Kosovës dhe po ashtu jo në përputhje me rezolutat e sigurisë së OKB-së dhe natyrisht që mund të krijojë një dilemë të caktuar. Por ne jemi shumë të qartë për këtë dhe gjithashtu supozoj që pasi Kosova të deklarojë qëllimin e saj për t’u integruar në BE, do të ndjekë prioritetet e politikave të jashtme të BE-së.

EO: Kosova mund të futet në një krizë të thellë kushtetuese, në rast se skadon mandati i ushtruesit të detyrës së presidentit dhe Kuvendi nuk arrin të votojë presidentin e ri brenda afatit kushtetues. A do të ndërmarr veprime BE-ja që kjo situatë të mos ndodhë?

Szunyog: Kryesisht janë përgjegjësi të partive politike të Kosovës të cilat janë zgjedhur në Parlament për të gjetur zgjidhjen. Nga ana  jonë, atë që po bëj është se unë po takoj liderët politikë dhe po u them atyre se janë përgjegjësitë e tyre për të gjetur një zgjidhje e cila do të sigurojë institucione stabile të Kosovës dhe mendoj se është e rëndësishme që të dy partitë që me siguri do të jenë në koalicion por edhe partitë që do të jenë në opozitë të sillen në mënyrë konstruktive dhe të gjitha së bashku mund të gjejnë një zgjidhje e cila do të jetë e qëndrueshme dhe e cila do të lejojë që institucionet e Kosovës të punojë për një periudhë më të gjatë kohore. Ideale do të ishte një qeveri  me një mandat të plotë.

EO: Vendet fqinje tashmë kanë siguruar vaksinën për Covid-19, ndërsa Kosova ende jo. Sa është duke punuar BE-ja që ta ndihmojë Kosovën në sigurimin e vaksinës?

Szunyog: Ne kemi ndihmuar Kosovën tashmë që nga pranvera e vitit të kaluar kur pandemia u bë me të vërtetë globale. Vitin e kaluar ne i dhamë Kosovës 68 milionë euro grante, 63 për pasoja negative të ekonomisë dhe 5 milionë pajisje direkte dhe ndihmë emergjente. Ne gjithashtu ofruam dhe një pjesë e 100 milionë u morën për Qeverinë e Kosovës për të stabilizuar financat e Kosovës në mënyrë makroekonomike. Ajo që ne tani po bëjmë në thelb është që jemi duke u përqendruar në dy pista, pista e parë është se BE-ja është donatori më i madh për Covax, kështu që ne po ndihmojmë Covax me të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe shpërndarjen e vaksinave sa më shpejt që është e mundur. Ne në fakt kemi gjetur 1/3 e Covax. Ne gjithashtu shqyrtuam në mënyrë të posatshme rritjen e kapacitetit të Kosovës për të rivendosur vaksinën, sepse disa prej tyre kërkojnë frigorifer speciale për këtë, dhe mirëkuptimi im është që së bashku me OKB-në, në veçanti duhet të përmendur UNICEF dhe OBSh që kemi arritur që Kosova tani është e gatshme dhe e përgatitur për të marrë vaksinat me frigorifer të rinj, depo dhe kapacitete të reja. Vetëm dje UNICEF mundësoi shpërndarjen e shiringave kështu që unë mendoj se ishte hapi i parë i nevojshëm gjithashtu, ne punojmë së bashku me Qeverinë e Kosovës dhe Institutin e Shëndetit Publik për të përgatitur planin e vaksinimit për atë dhe mendoj se kjo është e kryer. Ne jemi duke pritur shpërndarjen e parë të vaksinave, shpresoj në javët ose ditët e ardhshme. E përsëris, është shpresa ime por po në Mars. Dhe ato dërgesa do të vazhdojnë gjatë gjithë vitit dhe në fund, shpresoj se më shumë se 50% e popullatës mund të vaksinohen. Pista e dytë është që ne jemi duke punuar me Qeverinë e Kosovës për të lehtësuar të dyja: dërgesat e pajisjeve të nevojshme edhe vaksinat. Komisioni Evropian në të vërtetë njoftoi se posaçërisht për rajonin e Ballkanit Perëndimor do të japë 70 milionë euro dhe 10 për qind përafërsisht e kësaj duhet të shkojë në Kosovë. Tani jemi duke negociuar me Qeverinë e Kosovës për këtë marrëveshje ndërmjet BE-së dhe Kosovë, për këtë grant prej afër 70 milionë euro dhe shpresojmë që kjo të shkojë për furnizimin e pajisjeve dhe gjithashtu furnizimin e vaksinës. Ne gjithashtu jemi duke punuar me shtetet anëtare, disa prej tyre janë të gatshëm të ndajnë vaksinën, ne kemi disa marrëveshje paraprake me disa shtete anëtare që ata kanë një numër të mjaftueshëm të vaksinave  që do të ndajnë vaksinat me Kosovën. Për fat të keq, procesi I sigurimit të vaksinës është më i ngadaltë sesa prisnim, por gjithashtu vendet anëtare vuajnë nga shpërndarja relativisht e ngadaltë e vaksinave. Unë kam besim se sapo të vijë dorëzimi për vendet e BE-së ne do të solidarizohemi me Kosovën.

EO: Duke qenë se Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në Evropë i izoluar, a do të merren hapa këtë vit për avancimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës?

Szunyog: Unë personalisht e kuptoj zhgënjimin e popullit të Kosovës me këtë pamundësi për të udhëtuar lirshëm; në të njëjtën kohë, në emër të institucionit të BE-së mund të them vetëm se Komisioni Evropian tashmë ka deklaruar se të gjitha kushtet janë përmbushur në vitin 2018, Parlamenti Evropian e rikonfirmoi këtë pozicion disa herë, gjithashtu është përfshirë në këtë projekt-rezolutë të fundit, dhe tani i takon Këshillit të BE-së të vendosë, dhe ky vendim merret nga vendet anëtare, të gjitha 27 anëtaret duhet të bien dakord për këtë dhe pastaj të votojnë për të. Mund të them që organi që është përgjegjës për atë paraprihet nga presidenca e radhës që do të thotë se gjysma e parë e këtij viti është Portugalia dhe gjysma e dytë është Sllovenia dhe kjo varet nga vendi i presidencës se si do të planifikoj agjendën e këtij takimi dhe kur do ta vendos në agjendën e takimit dhe pastaj varet nga 27 shtete anëtare se si vendosin për këtë çështje. Por unë po ua them të njëjtën gjithashtu homologëve të mi të Kosovës që duhet të jenë edhe më të afërt me këto shtete anëtare. Veçanërisht për ata që kanë disa çështje ose pyetje, por unë do të nënvizoja se është e rëndësishme të punohet me 27 shtete anëtare. Sigurisht, unë e kuptoj që me situatën pandemike është e vështirë për të udhëtuar dhe për të dalë dhe për të dialoguar me shtetet, por unë mendoj se kjo është diçka që duhet bërë.

EO: Meqenëse dhe ju e potencuat se Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizim, a duhet që shtetet të cilat janë pro liberalizimit të ndihmojnë Kosovën që t’i bindin shtete që janë kundër këtij procesit, pasi qytetarët po ndihen të zhgënjyer meqenëse Kosova i ka përfunduar detyrat e saj, ndërsa BE-ja s’po e bën një gjë të tillë?

Szunyog: Institucioni i BE-së është që po beson se kushtet janë përmbushur, por përsëri nuk është punë e shteteve anëtare të komunikojë me shtetet anëtare, është më shumë punë e Qeverisë së Kosovës të shkojë dhe të dialogoj dhe ta paraqes rastin e saj. Dhe përsëri siç thashë një qasje më aktive. Sipas dijenisë sime është se ka disa dialogje që po zhvillohen me disa shtete anëtare, por unë do të nënvizoja se janë 27 prej tyre. Unë mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të punojë më shumë me 27 shtetet, duhet të dëshmoj se po vazhdon të plotësojë kushtet sepse ato kritere dhe kushte nuk janë diçka që ju mund vetëm t’i bëni tick kutisë dhe pastaj të thoni se është kryer dhe ta harroni atë. Shumica e këtyre kritereve kërkojnë vëmendje të vazhdueshme, dhe natyrisht, disa nga ato kritere kanë të bëjnë me çështjet e imigracionit, disa prej tyre kanë të bëjnë me çështje ligjore duke përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe pastaj duhet të bëhen më shumë përpjekje për përmbajtjen, por gjithashtu të komunikohen ato rezultate tek 27 shtetet anëtare.

Të ngjashme