Tahiri: Afër finalizimi i ndërtimit të pikëkalimeve kufitare me Serbinë

Prishtinë | 29 Kor 2016 | 14:33 | Nga

Delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, së bashku me përfaqësuesit e policisë dhe doganës, BE-së dhe UNOPS qëndroi dje në Kroaci për një vizitë studimore për IBM, me ç’rast ka vizituar pikëkalimin kufitar Bajakovo.

Kjo vizitë është realizuar me qëllim të marrjes së përvojave të planifikimit dhe funksionimit të pikë kalimeve kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë pasi që Kosova tashmë është në proces të ndërtimit të pikëkalimeve të përhershme me shtetin fqinj Serbinë, si rezultat i marrëveshjes së Brukselit për IBM.

Ministrja Tahiri në takim me autoritetet kroate në këtë pikëkalim kufitar ka shprehur kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Kroacisë si dhe ka vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit, duke qenë se Kroacia tashmë është një vend anëtar i BE-së.

Ajo ka njoftuar se Kosova po bënë përgatitjet finale për ndërtimin e pikëkalimeve të përhershme kufitare me shtetin fqinjë Serbinë, në bazë të marrëveshjes së Brukselit, dhe se kjo vizitë ka karakter studimor nga e cila do të merren përvojat e Kroacisë në këtë fushë.

Ministrja Tahiri gjatë këtij takimi shtoi se ndërtimi i këtyre pikëkalimeve të përhershme kufitare ndërmjet Republikës se Kosovës dhe Serbisë ofron mundësinë e një kontrolli më të mirë kufitar si dhe avancimin dhe lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave sipas parimeve të IBM-it.

Autoritetet kroate shprehën kënaqësi dhe gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e menaxhimeve kufitare. Kryesuesi i delegacionit kroat, Dragan Babovic, drejtor i policisë në këtë PKK dhe udhëheqës i sektorit për bashkëpunim me vendet fqinje, theksoi se bashkëpunimi mes autoriteteve kufitare të dyja vendeve duhet të vazhdojë dhe se ata janë të gatshëm për këmbimin e përvojave në rrugën e integrimit evropian dhe plotësimit të standardeve në fushat përkatëse.

Kjo vizitë studimore që zgjati rreth pesë orë u realizua në dy pjesë. Në pjesën e parë të vizitës, të gjitha autoritetet doganore prezantuan veprimtarinë e tyre secili në fushën që mbulon, përfshirë këtu policinë, doganën, inspektimet fitosanitare dhe veterinare.

Në pjesën e dytë, delegacioni vizitoi PKK Bajakovo duke u njohur me planifikimin dhe funksionimin e të gjitha autoriteteve kufitare, praktikave të IBM si dhe me zgjidhjet teknike, të teknologjisë informative dhe ato arkitektonike.

Pikë kalimi kufitar Bajakovo është më i madhi në Republikën e Kroacisë dhe ka një fluks të madh të qarkullimit ku vetëm në vitin 2015 ka pasur frekuentim të mbi 8 milionë pasagjerëve, mbi 2 milionë veturave dhe mbi 400 000 maunave. Vlerësohet si një shembull i mirë për t’u ndjekur për rastin e PKK të Kosovës në Merdare. Pikë kalimi Bajakovo/Batrovci është në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme