Tahiri: Çdo minutë që Kurti është kryeministër, është dëm i pariparueshëm për Kosovën

Prishtinë | 11 Mar 2020 | 18:50 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se në 20 vite pas luftës e 12 vite të shtetësisë, Kosova ka rrugëtuar si vend me një agjendë të qartë partneriteti special me SHBA-të.

“Sot, do të duhej të kishim ditë falënderimi për SHBA-në, e fatkeqësisht jemi mbledhë për të shkak se kemi ditë paralajmërimi nga SHBA-të. Sot, ashtu si edhe dje jemi tronditur, por jo edhe befasuar, me faktin se jo vetëm se raporti në mes SHBA-së e Kosovës nuk është më siç ka qenë, por ka devijuar plotësisht dhe fatkeqësisht për fajtorin e njohur Albin Kurtin. Një popull, nuk i nënshtrohet një njeriu, kishte qenë parulla me të cilën Albin Kurti protestonte në rrugë, duke shëruar komplekset e veta. Me veprimet e tij si kryeministër, sot, ai e ka marrë përsipër të na e dëshmojë konkretisht, se si një popull, ia sheh sherrin një njeriu”, u shpreh ai.

Tahiri e ka quajtur kryeministrin Kurti se demagog, e duke thënë se po punon kundër Amerikës.

“Ky njeri, demagogu më i madh që ka pasur ndonjëherë Kosova, agjendën e tij antiamerikane, po e bën agjendë shtetërore të Republikës së Kosovës.
Ky demagog, e ka vënë në pikëpyetje jo vetëm raportin shtetëror, por e ka nxitur një mësymje militante të të gjithë mbështetësve të tij kundër Amerikës.
Kundër vendit që mbanë primatin e demokracisë dhe nxitë demokracinë anekënd globit. Kundër vendit falë të cilit ekziston OKB-ja, NATO-ja, e pa asnjë dyshim edhe vetë Bashkimi Evropian.
Kundër vendit që i ka kuptuar drejt dhimbjet tona si popull, dhe e ka marrë për mision shërimin e tyre”, ka thënë ai.

“Sot, ka ardhë dita kur ne duhet t’i themi mjaft këtij mashtruesi. Ka ardhë dita kur ne duhet t’ia bëjmë të qartë SHBA-së, se nuk do të lejojmë që lidhjet tona strategjike të merren peng nga një mashtrues. Ka ardhë dita, kur ky kryeministër duhet të shkojë në shpi sepse 2 milion shqiptarë të Kosovës mund të jetojnë pa një kryeministër si Albin Kurti por në asnjë rrethanë të lejojnë dëmtimin e partneritetit me SHBA-në. Prandaj, para se të vijë puna për ta bllokuar shtetin e pushtetin, ju ftoj që ta bllokojmë mashtruesin.
Më lehtë e kemi ta izolojmë të keqen në mesin tonë, sesa të jemi të izoluar të gjithë pa përjashtim për shkak të keqes në mesin tonë. Kjo ftesë në radhë të parë është për LDK-në, sepse ajo ka përgjegjësi qeverisëse.

Tahiri ka thënë se çdo minutë që është në pushtet Kurti, sipas tij është dëm i pariparueshëm për Kosovën.

“Nuk është kjo garë politike mes askujt, por është domosdoshmëri shtetërore e të gjithëve. Sot nga mos veprimi nuk fiton askush, por më së shumti humbë Kosova. Çdo minutë që ky njeri vazhdon të jetë kryeministër, është dëm i pariparueshëm për Kosovën e të ardhmen e saj”, ka thënë Tahiri.

Të ngjashme