Tahiri: Deklaratat politike nga Haga na japin emocione, por nuk kanë peshë në gjykatë

Prishtinë | 11 Nën 2020 | 21:59 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Tahiri thotë se aktakuzat e Speciales nuk lidhen me rrëzimin e mundshëm të qeverisë.

“Për ne nuk ishin këto befasi. Specialen e ka votuar Kuvendi i Kosovës. Ne si AAK në atë kohë ishim kundër, por në këtë kohë më është e vështirë të kthehet mbrapa procesi”, deklaroi ai në “Debat Plus”.

Tahiri thotë se Kosova me neglizhencë e ka marrë themelimin e Gjykatës Speciale e sidomos Raportin e Dick Marty-t.

Zëvendëskryeministri i parë duke komentuar aktakuzat e Speciales, thotë se deklaratat emocionale në Hagë nuk kanë vlerë.

“Unë i pashë edhe deklarimet e para. Deklarimet politike na bëjnë të ndihemi mirë dhe na japin emocione, por nuk kanë peshë në këto gjykata. Në këto gjykata ka peshë disiplina, përgatitja e ekipës mbrojtëse dhe ballafaqimi serioz”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Tahiri thotë se nuk ka vërejtje ndaj paraqitjeve të Thaçit, Krasniqit, Veselit apo Selimit por sipas tij duhet të marrim mësim nga ballafaqimet e së kaluarës.

Zëvendëskryeministri thotë se Kosova ka ligj për mbrojtjen e personave që akuzohen nga Haga.

“Por edhe partitë politike në Kosovë që janë goditur nga Specialja duhet të jenë të kujdesshme me deklarimet publike”, deklaroi Besnik Tahiri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme