Tahiri dhe Haxhiu përplasen për Projekt-kodin Penal

Prishtinë | 05 Qer 2018 | 16:38 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në seancën e sotme të Kuvendit pikë e gjashtë e rendit të ditës ishte Shqyrtimi i parë i Projekt-kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk e di arsyen pse 3 muaj Kuvendi nuk e ka futur shqyrtimin e këtij projekt-kodi në rend dite.

Tahiri tha se ka kërkuar që ky projekt-kod të trajtohet me urgjencë pasi që, sipas tij, lidhet me procesin e liberalizimit të vizave, raporton Ekonomia Online.

“Me 13 prill kam propozuar projekt-kodin penal. Janë bërë 3 muaj që e kam dërgu në Kuvend, tash kam dërguar një letër dhe kam kërkuar të trajtohet me urgjencë, sepse lidhet me liberalizimin e vizave dhe ka qenë kërkesë e Komisionit Evropian. Për shkak të procedurave në Kuvend është vonuar dhe nuk është diskutuar deri më sot”.

Albulena Haxhiu, iu drejtua ministrit duke i thënë se LVV-ja ka propozuar një projekt-kod të jashtëzakonshëm me ekspertë të kësaj fushe.

“Nuk e di çka përmban projektligji që ju e keni dërguar për konfiskim të pasurisë, ajo që ka propozuar VV-ja është e jashtëzakonshme, bashkë me njohës të kësaj fushe kemi harmonizuar nenet. Mos u lodhni me bë dokumente të tjera, nuk po ju kuptoj pse kjo nuk po ju përshtatet”.

Tahiri i tha Haxhiut pse nuk është ftuar në ato diskutime si ministër i Drejtësisë që, sipas tij, do të ndihmonte në hartimin e dokumentit për projekt-kodin Penal të Kosovës.

“Nuk m’u ka tek me bë ligj, kam pasë në plan hartimin e ligjit për konfiskim të pasurisë, që mundëson punë më të madhe për konfiskim të pasurisë. Është dashtë me më thirrë edhe mua si ministër me diskutu aty se çka me ba. Ky nuk është produkt i ekspertëve tanë vendorë. Është në përputhje me gjithë legjislacionin penal. Është dashtë me na thirrë edhe neve si ministri me marrë pjesë”.

Albulena Haxhiu, në emër të kryetares së komisionit për Legjislacion, tha se me këtë projekt-kod nuk do të ketë zyrtarë që do keqpërdorin detyrën zyrtare, raporton EO.

“Pas këtij miratimi nuk ka me pasë zyrtar që ka me keqpërdorë detyrën zyrtare”.

Ndërsa në emër të GP të LVV-së ajo tha se ky projektligj është një ëndërr për Kosovën. Ajo tha se duhet të merren masa për dënimin e zyrtarëve publikë të korruptuar.

“Në Kosovë të korruptuarit nuk po dënohen, çka me ba që të dënohen të korruptuarit. Qysh me ia ba që me i çu në burg ata që e kanë keqpërdorë paranë publike. Kush nga zyrtarët e lartë është në burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është qesharake burgim me kusht apo me të holla”.

Korab Sejdiu, në emër të GP të LDK-së, tha se LDK-ja e përkrah këtë projekt-kod për shkak të rëndësisë që ka.

“GP jonë e përkrah këtë projekt-kod. Ka ardhë një kërkesë për trajtim me urgjencë të këtij projekt-kodi duke pasë parasysh rëndësinë që ka ky projekt-kod”.

Edhe Hajdar Beqa, në emër të GP të PDK-së, ka theksuar se ky kod në parim plotëson kushtet dhe, sipas tij, do ndikojë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Në parim ky kod i plotëson të gjitha kushtet me shku më tutje. Është një ndër aktet më të mira që ndikojnë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend. Do t’i japim vërejtjet dhe sugjerimet tona përmes amendamenteve”.

Shqipe Pantina, në emër të GP të PSD-së, tha se kjo parti e përkrah këtë kod.

Ahmet Isufi në emër të GP të AAK-së, tha se janë të interesuar të nxjerrin një projekt-kod i cili do të jetë i zbatueshëm në Kosovë.

“Jemi të interesuar të del një projekt-kod, të nxjerrim një ligj që zbatohet në Republikën e Kosovës, jemi të interesuar të ketë zbatim që ligjet në Kosovë të implementohen ashtu si duhet, vazhdimisht flitet për mozbatim. E përkrahim në parim”.

Milaim Zeka, deputet nga Nisma, tha se deputetët duhet të kenë kujdes çfarë kodesh po votojnë në Kuvend, raporton EO.

“Ministri i Drejtësisë duhet me shkru në zyren e vet një thënie që e ka thënë ish-gjyqtari i gjykatës që u liru: ‘Në Kosovë është ndërtu një sistem prokurorial që përmes një telefoni ta shkatërrojnë jetën, të hapin hetime’.

“Ju keni kolegë, ministra brenda qeverisë që ju kanë hapë hetime që as në hava si kanë imagjinu, as nuk kanë qenë nënshkrues për një dokument që janë hetu”.

“Qysh e kanë gatu kulaçin për Gjykatën Speciale, sikur gogluçat që ja futin në gojë quranit natën e bajramit me myt, qashtu në këmbim të liberalizimit po i çojnë do letra burokratët e Brukselit kon me e dënu e kon jo. Nëse evropianët do respektonin ligjin, minimum nja 50 zyrtarë të EULEX-it ishin dënu deri sot dhe 500 të UNMIK-ut që janë të korruptuarit më të mëdhenj. Nuk kanë nevojë burokratët evropianë me na shit pallavra neve e me na çu neve lista kënd me e dënu. Të kemi kujdes se çka po votojmë, çfarë kodi po sjellim në Kuvend”.

Të ngjashme