Tahiri: Do të zgjerohet lista e atyre që obligohen ta deklarojnë pasurinë

Prishtinë | 24 Shk 2019 | 16:52 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka deklaruar sot se me Ligjin e ri deklarimi i pasurisë do të ketë mision të qartë, mbështetur edhe me instrumente që e mundësojnë verifikimin e të dhënave.

Në një postim të tij në Facebook, Tahiri ka thënë se “me vite ka pasur debat nëse sistemi aktual i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik është sistemi i duhur dhe nëse misioni i deklarimit të pasurisë është në funksion të parandalimit të abuzimit, keqpërdorimit, konfliktit të interesit dhe korrupsionit”. E sipas tij, ky debat do të marrë fund me projektligjin e ri për deklarimin e pasurisë, të cilin jam duke e përgatitur për ta sponsorizuar në Kuvend.

“Një reformë e thellë është shtruar në këtë projektligj, përmes së cilit po reformojmë secilin aspekt që deri më tani nuk ka funksionuar, duke rritur pritjet dhe përgjegjësitë, duke mundësuar administrim më efikas të të dhënave të deklarimit, duke garantuar zbatim efikas të politikave të reja, si dhe duke përmbushur rekomandimet e Bashkimit Evropian”, ka shkruar Tahiri.

“Deklarimi i pasurisë do të ketë mision të qartë, mbështetur edhe me instrumente që e mundësojnë verifikimin e të dhënave. Do kemi ri klasifikim të pozitave që duhet të deklarojnë pasurinë, një listë të re dhe të zgjeruar, jo vetëm nga cilësimi i pozitave të larta publike, por edhe nga cilësimi i secilës pozitë ku ka potencial për abuzim, keqpërdorim të parasë publike dhe konflikt të interesit”, ka shkruar ai.

Në fund, Tahiri ka thënë se deklarimi i pasurisë, bashkë me evitimin e konfliktit të interesit do të konstituojnë instrumente jashtëzakonisht të rëndësishme në luftën tonë kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit.

Të ngjashme