Tahiri: Është hera e parë që AAK hyn në zgjedhje për t’i fituar realisht

Prishtinë | 22 Gus 2019 | 18:17 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kjo është hera e parë që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës hyn në zgjedhje si parti e fuqishme me qëllim për të dalë e para.

Ai këto komente i bëri në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, duke shtuar se sondazhet tani e paraqesin AAK-në si një parti me potencial për t’i fituar zgjedhjet.

“Sot  është treguar një pjekuri politike. Për AAK-në, dorëheqja e Ramush Haradinajt nuk ka qenë më e lehta për rrethanat që dihen. Sot është një ditë e mirë për AAK-në për shkak të vendimit që Haradinaj e ka marrë për ta kthyer vendimin tek sovrani”.

“AAK ka pasur një kulturë pune dhe një bashkëpunim shumë korrekt me PSD-në, në veçanti me tema të interesit nacional. Ky partneritet tani ka rezultuar në një koalicion. Tani për tani nuk ka një koalicion tjetër që mund të ndodhë shpejt”.

“Ne si AAK jemi të vendosur që të shkojmë drejt një fitoreje të madhe sepse të gjitha sondazhet e paraqesin AAK-në si fituese në zgjedhje. Ajo që dihet sot është se ne nuk shkojmë në koalicion me partitë që janë në opozitë dhe me PDK-në. Mendoj se ne e kemi një tregim dhe tregimi është se përgjatë dy viteve shumë tema që kanë qenë të patrajtuara janë realizuar”.

“Më parë e kemi ditur se jemi larg, por tani është hera e parë në historinë e AAK-së që dalim si parti e fuqishme për të fituar”.

“Në koalicion me PSD-në, Shpend Ahmeti ishte shumë i qartë që bartës dhe mandatar është Ramush Haradinaj. Nuk ka të bëjë me një arrogancë, por me një vizion”.

Të ngjashme