Tahiri falënderoi BE-në për mbështetjen e dhënë për Agjendën “Drejtësia 2020”

Prishtinë | 02 Pri 2019 | 17:50 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim Komandantin e Operacioneve Civile të BE-së, Vincenzo Coppola, i shoqëruar nga shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Ambasadorja Alexandra Papadopoulou.

Ministri Tahiri ka falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm që ka pasur me Bashkimin Evropian në veçanti me Misionin e EULEX-it, që pas 10 viteve të mandatit ekzekutiv, tash përvojën e gjatë dhe të dobishme  është duke e ndarë me institucionet e sundimit të ligjit përmes mandatit të ri këshillues.

Duke qenë se drejtësia për herë të parë është në përgjegjësinë e institucioneve të vendit, ministri Tahiri ka theksuar se ka ndërmarrë një agjendë të veçantë, “Drejtësia 2020”, së bashku me Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial, agjendë kjo që ka marrë mbështetjen dhe vëmendjen e duhur edhe nga institucionet e Bashkimit Evropian dhe partnerëve tjerë.

Agjenda përmban një listë të gjatë të aktiviteteve konkrete që do të bëjnë institucionet publike përgjegjës për dështimet dhe sukseset në sektorin e drejtësisë, me synim të përmbylljes së tranzicionit në këtë sektor dhe rikthimin e plotë të besimit të qytetarëve në shtetin ligjor.

Fokus tjetër i kësaj Agjende, sipas ministrit Tahiri, është edhe fuqizimi i organeve ligjzbatuese sidomos në përgjegjësitë që kanë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme