Tahiri: Fillim i ri për Drejtësinë dhe Kosovën

Prishtinë | 10 Sht 2017 | 16:06 | Nga

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka deklaruar se është i vetëdijshëm për sfidat që e presin në detyrën që ka marrë përsipër në Qeverinë e re të Kosovës, në mënyrë që sistemi i drejtësisë të funksionojnë mirëfilli në Kosovë.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se do të përkujdeset që Ministria e Drejtësisë të jetë shembull i qeverisjes së mirë dhe të përgjegjshme, duke u bazuar në kompetenca dhe dije, në mënyrë që t’u jepen përgjigje sfidave dhe qytetarët të kenë besim të parezervë në të.
“Ky është një fillim i ri për Kosovën, në drejtësi dhe në të gjitha sferat”, ka shkruar Ministri Tahiri.

Ky është postimi i plotë i Ministrit Abelard Tahiri:

Përgjegjësinë institucionale për ta drejtuar Ministrinë e Drejtësisë e kam pranuar duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për të gjitha sfidat që na presin, në mënyrë që sistemi i drejtësisë, përmbajtja e ligjeve dhe sundimi i rendit dhe ligjit të funksionojnë mirëfilli në Republikën e Kosovës.

Perceptimet shpesh janë më të fuqishme se realiteti, por ne bashkërisht, me të gjithë akterët institucionalë në sistemin e drejtësisë, do krijojmë hapësirë dhe shembuj që realiteti juridik ta dominojë çdo perceptim dhe që qytetarët të besojnë në drejtësinë që zbatohet në Kosovë.

Është bërë punë e jashtëzakonshme në ndërtimin e sistemit të drejtësisë në vend. Por, duhet ta pranojmë se ka pasur edhe ngecje.

Sundimi i ligjit dhe barazia para tij, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat dhe qasja në drejtësi për të gjithë, janë imperativ jo vetëm për integrimin në Bashkimin Evropian, por në radhë të parë për vetë cilësinë e jetës së qytetarëve dhe si të tilla paraqesin edhe agjendën e prioriteteve tona.

Do të përkujdesëm që Ministria e Drejtësisë të jetë shembull i qeverisjes së mirë dhe të përgjegjshme, duke u bazuar në kompetenca dhe dije, në mënyrë që t’u jepen përgjigje këtyre sfidave dhe qytetarët të kenë besim të parezervë në të.

Në këtë proces drejt fuqizimit të drejtësisë ekziston vetëm një koncept dhe ai është ligji mbi të gjithë, kurse përpjekjet për t’i dhënë kuptim duhet të jenë të të gjithëve, që sfidat t’i shndërrojmë në mundësi unike dhe rezultatet t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ky është një fillim i ri për Kosovën, në drejtësi dhe në të gjitha sferat. Na priftë e mbara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme