Tahiri: Gjermania, partner strategjik për zhvillimin ekonomik të Kosovës

Prishtinë | 24 Maj 2017 | 12:50 | Nga

Ministrja në detyrë, për Dialog, Edita Tahiri, u takua sot me delegacionin e Qeverisë së Gjermanisë, të kryesuar nga  Heike Backofen – Warnecke, zëvendësdrejtoreshë për Evropën Jug-Lindore, Evropën Lindore dhe Kaukazin Jugor në Ministrinë për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik në Qeverinë e Gjermanisë.

Duke i falënderuar për përkrahjen që shteti i Gjermanisë ka dhënë për Kosovën, Tahiri njoftoi delegacionin gjerman për progresin e gjithëmbarshëm në Kosovë si dhe për avancimin e integrimit evropian dhe euro-atlantik të Kosovës.

Në mënyrë veçantë, Tahiri theksoi potencialet e larta ekonomike të Kosovës dhe kapitalin e pasur njerëzor duke kërkuar nga Gjermania bashkëpunim më të thellë ekonomik dypalësh.

“Shtetet që kanë ndihmuar pavarësinë e Kosovës, sikurse që është Gjermania, duam t’i kemi partner strategjik për zhvillimin ekonomik të Kosovës” tha ministrja Tahiri.

Ajo po ashtu vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë, respektivisht të bankës gjermane KfW, për projektin e linjës së interkonjeksionit energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa kërkoi nga shteti i Gjermanisë që të ndihmoj në zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit për energjinë, e cila marrëveshje vazhdon të bllokohet nga pala serbe. Ajo potencoi se mosrespektimi i marrëveshjes së Brukselit për energji nga Serbia po mban peng përpjekjet e Procesit të Berlinit për interkonektivitetin rajonal të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit nga KOSTT me ç ‘rast drejtori Mustafë Hasani, të cilët poashtu ka shprehur brengosjen e mos implementimit të marrëveshjes së Brukselit për energji dhe pasojat e saj për Kosovën dhe rajonin.

Nga ana e saj, Warnecke ka shprehur vullnetin e shtetit të saj, Gjermanisë, për mbështetjen e vazhdueshme për shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës në të gjitha sferat si dhe në proceset e integrimit euro- atlantik. Ajo tha se Gjermania mbetet e përkushtuar për të mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës ndërsa premtoi angazhime për të gjetur zgjidhje sa më të shpejt për implementimin e marrëveshjes së energjisë duke ruajtur gjithmonë sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme