Tahiri: Grupet kriminale mund t’i ndalim përmes konfiskimit të pasurisë

Prishtinë | 21 Maj 2019 | 16:00 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Oda e Avokatëve të Kosovës ka organizuar tryezën “Përmirësimi i garancive procedurale në procedurën e mbrojtjes penale lidhur me pastrimin e parasë, sekuestrimin dhe ngrirjes së pasurisë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se e vetmja formë që të ndalen grupet kriminale është sekuestrimi i pasurisë.

“E vetmja formë që t’i ndalim grupet kriminale është përmes sekuestrimit të pasurisë. Nëse ne ua lëmë pasurinë ne nuk do t’ua ndalim fuqinë që e kanë. Është edhe barra e provës në mënyrë proporcionale ku nga prokurori kalon tek i dyshuari që e bën më efikase çështjen e sekuestrimit. Çështje tjetër është edhe kodi penal që e kam dërguar në Kuvend dhe që pritet të kaloj në lexim të parë. Nuk mund të lejojmë as si politikë, as si qeveri, as si parlament që të mos jemi më efikas në konfiskimin e kësaj pasurie të fituar me vepër penale”, ka thënë Tahiri.

Ai shtoi më tej se Kosova nuk është shembull i suksesit në sekuestrim mirëpo tashmë në fuqi ka një ligj të tillë dhe një reformë që është bërë në kuadër të tij.

“Kosova nuk është shembull i suksesit në konfiskimin e pasurisë me vepër penale në këto vite sa jemi shtet. Sot e kemi një fuqi një ligj të sekuestrim të pasurisë apo kemi arrit të bëjmë një reformë të thellë në kuadër të këtij ligji”, tha Tahiri, raporton EO.

Osman Havolli, kryetar i OAK, tha se pastrimi i parasë, sekuestrimi dhe ngrirja e pasurisë ka qenë brengë e shoqërisë për shumë kohë.

“Krejt kjo një brengë e gjatë e shoqërisë kosovare që të kemi sa më pak dukuri që e dëmtojnë shoqërinë dhe buxhetin e Kosovës”, tha Havolli.

Julie Mosley nga Ambasada e ShBA në Kosovë, tha se Kosova duhet të fuqizoj sundimin e ligjit duke qenë edhe kërkesë e BE-së.

“Qytetarët kanë të drejtë të presin që sektori i drejtësisë të jetë i barabartë për të gjithë para ligjit. Kjo i lejon bizneseve që të investojnë me besim, i mbanë njerëzit të sigurt dhe trajton dallimet në mënyrë të qetë dhe paqësore. Ligjet e miratuara deri tash, kemi kodin penal, civil dhe ligjin për kompetencat e zgjeruara dhe një nga brengat e BE-së është korrupsioni. Iu inkurajoj të mbani punën mirë dhe të fuqizoni sundimin e ligjit në Kosovë”, tha ajo.

Skënder Çoçaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se sekuestrimi i pasurisë duhet të bëhet medoemos sepse ndryshe luftimi ndaj krimit, korrupsionit e pastrimit të parasë do të jetë i kotë.

“Është e vërtetë që nuk mund të mburremi aq me konfiskimet që janë duke u bë sepse duhet pasë parasysh se nëse krimin nuk e godasim me konfiskim atëherë thuaj se nuk kemi bërë asgjë. Konsideroj se duhet të jemi të kujdesshëm gjatë aplikimit të ligjeve që kanë të bëjnë me konfiskimin e pasurisë sepse e dimë që prona është e mbrojtur me kushtetutë”, tha Çoçaj, raporton EO.

Sipas tij, në këtë çështje roli i të gjithëve është i rëndësishëm sepse ligji i ka paraparë që secili institucion t’i  ketë detyrat e veta. Ai tha se konfiskimi duhet të bëhet patjetër në pajtim me ligjin sepse pa konfiskim edhe luftimi i krimit, korrupsionit, pastrimit të parasë do të jetë i kotë.

Të ngjashme