Tahiri i kërkon Kurtit të shkojë në Veri e jo vetëm të flasë

Prishtinë | 05 Pri 2020 | 16:23 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, po drejton kritika ndaj kryeministrit në Detyrë, Albin Kurti. Ajo po i thotë se Veriu i vendit nuk mbrohet me fjalë, por me vepra

Përmes një statusi në Facebook, Tahiri ka shkruar se Veriu nuk mbrohet nme fjalë nga zyrat e qeverisë, siç po bën Kurti, por duhet shkuar atje.

“Veriu nuk mbrohet me fjale nga zyrat e qeverise si po bene Kurti. Duhet shkuar atje. Ne kohen tone te qeverisjes e mbrojtem me vepra, e integruam, shtrijme sovranitetin e Kosoves, shkuam atje, vendosem kufirin, kaluam uren e Ibrit, hoqem strukturat paralele serbe, etj”, ka shkruar Tahiri.

Ndërkohë, ky reagim i Tahirit vjen pasi kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, sot ka publikuar një video në të cilën ka thënë se politikanë në Serbi e Kosovë dëshirojnë konflikt në Veri të Kosovës për të realizuar planin për shkëmbim territorial.

“Ata duan të provokojnë tensione sepse ata duan incidente. Sepse projekti i tyre për shkëmbim territorial sikur të realizohej do të shkaktonte konflikte e gjakderdhje të reja. Ai projekt dështoi. Tash duan konlifkte e gjakderdhje në terren për t’u rikthyer te shkëmbimi e ndarja e Kosovës”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se edhe ideja për gjendje të jashtëzakonshme është në funksion të kësaj ideje.

Ai ka bërë thirrje qytetarëve të ruajnë gjakftohtësinë.

“Ruajeni gjakftohtësinë dhe mos bini në kurthin e atyre, të cilët për t’i zbrazur shampajnat e tyre kanë nevojë të derdhet gjaku jonë. Mos bini në provokime. Ato janë kurthi që do të bien vetë ata”, ka shtuar ai.

Kurti ka bërë thirrje kryetarëve të dy Mitrovicave që mos të tensionojnë situatën.

“Atyre që kontribuan për ndarjen e Mitrovicës mos ju besoni”, ka shtuar ai.

Të ngjashme