Tahiri i kërkon llogari Kurtit për krahasimin e luftëtarëve të UÇK-së me kriminelët serbë

Prishtinë | 20 Maj 2021 | 10:44 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlmentar të PDK-së, Abelard Tahiri i ka kërkurlar llogari kryeministrit Albin Kurti i cili gjatë vizitës në Bruksel ku u takua me liderët e Ballkanit Perëndimor përfshirë presidentin serb Aleksandër Vuçiq, deklaroi se duhet hequr nga politika kriminelët në shtetet e këtij rajonit.

Kjo deklaratë e Albin Kurtit, sipas Abelard Tahirit ishte sulm direkt mbi UÇK-në dhe çlirimtarët, raporton Ekonomia Online.

“Kriminelë lufte janë Milloshevici, Ljubisha Divkoviqi, Pavkovici, Llazareviqi, Bozhidar Deliqi, Arkani, Marjanoviqi, Llukiqi e plot të tjerë, që kanë planifikuar, komanduar, urdhëruar dhe kryer krime, e kanë drejtuar banda vrastare në luftën e Kosovës, ku u kryen mbi 400 masakra, u vranë 13 mijë civilë, e u zhdukën mijëra të tjerë, prej të cilëve edhe sot mungojnë 1650. Kriminel lufte është Ojdaniqi, i dënuar e i verifikuar si i tillë nga tribunali i Hagës për dëbimin e mbi 1 milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre. Të gjithë kanë pasur funksione ndër më të lartat, edhe në politikë dhe në armatën e shtetit serb. Por për kryeministrin, kjo adresë e njohur u dashka të shpërndahet. Që në këtë hartë u dashka të bëjmë pjesë edhe ne. Prandaj ne duhet t’i gjejmë se cilët qenkan këta kriminelë të luftës në mesin tonë dhe këtë sot e kërkojmë hiq më pak se prej atij që i shpalli të tillë”.

Fjalimi i plotë i Abelard Tahirit:

Para dy ditësh, kryeministri Kurti mori pjesë në darkën e Borrelit me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këto forume e darka, logjika thotë se do të duhej të flitej për situatën aktuale pandemike dhe sfidat konkrete që i kemi si rajon. Por meqë nuk publikohet ajo çka flitet brenda, rëndësi ka ajo çka deklarohet jashtë. Dhe deklarimet e Kryeministrit tonë jashtë darkës, në deklaratë për media, më mirë mos t’i kishim dëgjuar fare.

Nga kjo darkë e kryeministrit në shoqërinë e Bernabiqit, doli diçka që shkon përtej imagjinatës. Një deklaratë skandaloze për media e kryeministrit Kurti, që i hedhë pluhur të vërtetës sonë historike si komb, si popull, dhe si shtet. Këtë qasje aspak naive por të mirë menduar, ku sipas kryeministrit tonë, integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, shpjegohet si proces me faza,e fundit prej të cilave, qenka eliminimi nga skena politike e institucionale, e kriminelëve të luftës nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Botërisht është e ditur kush është krimineli e kush është viktima. Botërisht është e ditur kush ka kryer krime në përmasa të gjenocidit në Bosnje dhe Kosovë. Botërisht është e ditur se ku është adresa e kriminelëve të luftës. Por kryeministri ynë, nuk pati guxim ta thotë se ajo është në Serbi. Ai me paramendim e zgjeroi hartën, duke kërkuar të tillë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Çka i bie kjo? Shqipëria shyqyr s’ka pasur luftë me Serbinë. As Maqedonia. As Mali i Zi. Luftë me Serbinë përveç Kroacisë, kemi pasur vetëm ne dhe Bosnja. Dy vende të Ballkanit Perëndimor. Por ne kriminelë lufte nuk kemi pasur.

Kemi pasur djem e vajza që janë detyruar të rrokin armët për të shpëtuar jetën e tyre e familjeve të tyre. Kemi pasur UÇK-në. A e di dikush që UÇK-ja të jetë akuzuar për ndonjë masakër ndaj civilëve? Kriminelë të vërtetë lufte janë Radosllavi, Ivani, Nenani e Janko, që për eksperiencat e tyre vrastare në Kroaci e Bosnje, kanë folur me autorin Samuel Tanner në artikullin e tij “Krimet Masive në Jugosllavi”, publikuar në Revistën Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq në volumin 80 të saj, në qershor 2008.

Kriminelë lufte janë Milloshevici, Ljubisha Divkoviqi, Pavkovici, Llazareviqi, Bozhidar Deliqi, Arkani, Marjanoviqi, Llukiqi e plot të tjerë, që kanë planifikuar, komanduar, urdhëruar dhe kryer krime, e kanë drejtuar banda vrastare në luftën e Kosovës, ku u kryen mbi 400 masakra, u vranë 13 mijë civilë, e u zhdukën mijëra të tjerë, prej të cilëve edhe sot mungojnë 1650. Kriminel lufte është Ojdaniqi, i dënuar e i verifikuar si i tillë nga tribunali i Hagës për dëbimin e mbi 1 milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre. Të gjithë kanë pasur funksione ndër më të lartat, edhe në politikë dhe në armatën e shtetit serb. Por për kryeministrin, kjo adresë e njohur u dashka të shpërndahet. Që në këtë hartë u dashka të bëjmë pjesë edhe ne. Prandaj ne duhet t’i gjejmë se cilët qenkan këta kriminelë të luftës në mesin tonë dhe këtë sot e kërkojmë hiq më pak se prej atij që i shpalli të tillë.

Të nderuar deputetë, Që një kohë të gjatë ka filluar një trend i mohimit të së vërtetës, që mbështetet edhe në qarqe të ndryshme pro ruse nëpër Evropë, qëllimi i të cilave është rehabilitimi i Serbisë, për ta shpëtuar pa llogaridhënie për krimet dhe gjenocidin që ka ushtruar ndaj nesh. Që nga shpërblimi me Nobel i glorifikuesit të Milloshevicit, i cili hiq më larg se para 11 ditësh u shpërblye edhe nga Vucici me çmimin më të lartë të shtetit Serb, për të vazhduar tek deklaratat e shpeshta të politikanëve të ekstremeve jo vetëm në Serbi, por edhe në vende tjera, e për të kulmuar tashmë edhe me deklarata apologjike nga nivele të larta të politikës, siç që deklarata skandaloze Presidentit Ҫek, Zeman.

Të gjitha këto përbëjnë një valë përpjekje, për ta barazuar viktimën me agresorin, ngase dikush po mendon se më lehtë harrohet e vërteta, sesa që të detyrohet Serbia ta njohë të vërtetën. Deklarata e Kryeministrit Kurti është pikërisht në këtë vijë.

Sikur ekziston një mastermind i këtij plani dhe Kurti po i ecë fiks sipas skenarit. Nuk dua të besoj që kryeministri po i kontribuon kësaj qasje me vetëdije. Më lehtë e kam dhe dua të besoj se ky nuk e di çka flet, as kur është brenda e as jashtë vendit. Por fatkeqësisht kjo po del përtej pritjeve të mia. Kjo të nderuar deputetë është një sjellje për t’u shqetësuar.

Lexo më shumë:

Të ngjashme