Tahiri: I lumtur që LDK-ja në Vushtrri sot është më e fuqishme, do të rikthehemi në qeverisje

Prishtinë | 17 Jan 2022 | 17:31 | Nga Ekonomia Online

Përmes një postimi në facebook për 32 vjetorin e themelimit të degës ka reaguar edhe ish-Kryetari i komunës së Vushtrrisë, dhe kryetar aktual i degës, Xhafer Tahiri, duke uruar anëtarësinë e degës me rastin e 32 vjetorit të saj.

Ai ka shkruar ndër të tjera se ndjehet i lumtur për sukseset e arritura gjatë qeverisjes së tij duke përmendur me shifra rrijet elektorale që ka pasur LDK-në nën udhëheqjen e tij si kryetari i degës, dhe komunës së Vushtrrisë.

Tahiri ka shkruar se falë mbështetjes së qytetarëve LDK-ja është më e fuqishme se kurrë në qytetin e Vushtrrisë, duke marrë mbi 12 mijë vota në zgjedhjet e fundit për kryetar komune, dhe 8 mijë të tjera për anëtarët e Kuvendit Komunal.

Ndër të tjera, Tahiri ka listuar edhe projektet që janë realizuar gjatë qeverisjes së tij, për të cilat ai shkruan me shumë krenari, duke shkruar në fund se LDK-ja nuk do të braktisë asnjëherë anëtarëst e saj si dhe do të rikthehet së shpejti në qeverisje.

“Prandaj të dashur aktivist e qytetarë të Vushtrrisë, LDK e as unë nuk do të ju braktisim asnjëherë. Të jeni krenar me vlerat e LDK-së Rugoviane. LDK do të rikthehet në Vushtrri sepse qytetarët e Vushtrrisë e meritojnë qeverisjen e mirë të LDK-së. ” ka shkruar Tahiri.

Të ngjashme