Tahiri: I pamë tendencat e para për shfajësim dhe ikje nga përgjegjësia për vdekjen e 26 vjeçarit nga Gjilani

Prishtinë | 04 Maj 2020 | 15:38 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i PDK-së, ish-ministër i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka kërkuar hetim të plotë dhe përgjegjësi nga autoritetet përgjegjëse për vdekjen e të riut nga Gjilani në karantinën e qendrës së studentëve.

Ai ka shkruar në faqen e tij në Facebook se organet kompetente duhet të zhvillojnë procedurë gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të gjithë zyrtarët përgjegjës të ballafaqohen me drejtësinë.

Deklarata e plotë e Abelard Tahirit:

Humbja e jetës së Agon Musliut, 26 vjeç, nga Gjilani, është e rëndë dhe i ka tronditur të gjithë. Ngushëllimet më të thella për familjen dhe më të dashurit e tij, që po përballen me një dhimbje të madhe.

Vdekja e Agonit, në Qendrën e Studentëve, ku po mbahej i karantinuar, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, shënon viktimën e parë të papërgjegjësisë së Qeverisë Kurti që pandeminë po e menaxhon me masa emergjente dhe akte administrative në kundërshtim të hapur me parimet juridike të shtetit ligjor dhe rendit kushtetues.

Vdekja e këtij të riu, duke qenë në duart e shtetit, nuk mund dhe nuk duhet të kalojë pa dhënë përgjegjësi urdhëruesit dhe zbatuesit e këtyre masave, Ministrat Arben Vitia dhe Xhelal Sfeçla.

Ky rast tragjik duhet të zbardhet menjëherë dhe plotësisht. Organet kompetente duhet të zhvillojnë procedurë gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të gjithë zyrtarët përgjegjës të ballafaqohen me drejtësinë.

Tashmë i pamë tendencat e para për shfajësim dhe ikje nga përgjegjësia. Por, në asnjë rrethanë kjo nuk guxon të ndodhë dhe as nuk do të ndodhë.

Të ngjashme