Tahiri: Jemi të vendosur për konfiskimin e secilës pasuri të fituar me krim e korrupsion

Prishtinë | 13 Gus 2019 | 11:39 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka pritur sot në takim u.d. Shefin e EULEX-it,  Bernd Thran me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin e institucioneve të sundimit të ligjit dhe trendëve të reja që janë duke zënë vend brenda sistemit të drejtësisë.

Gjatë këtij takimi, Ministri Tahiri ka kërkuar thellimin e bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, me theks të veçantë në konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

“Ndër politikat më të rëndësishme që kam drejtuar si Ministër i Drejtësisë, ka qenë ajo e konfiskimit të pasurisë së fituar me vepra penale. Sot jemi të vendosur për ta parë drejtësinë në vepër, në konfiskimin e secilës pasuri të fituar nga krimi e korrupsioni” ka thënë ministri Tahiri.

Ministri Tahiri shtoi se me zbatimin e ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të marrë karakter të fuqishëm dhe të pa kompromis.

“Si shoqëri ne ende kemi sfida që burojnë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Përgjigjja më e mirë ndaj këtyre dukurive, përveç ndjekjes penale, është edhe konfiskimi i çdo pasurie të fituar me krim dhe korrupsion, nga gjësendet e imta deri tek asetet multimilonëshe. Ne do ta bëjmë ligjin e ri për konfiskimin e pasurisë armë kryesore kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Zbatimi i këtij ligji duhet të marrë karakter të fuqishëm dhe për këtë, prokurorët dhe gjyqtarët që shërbejnë në sistemin e drejtësisë po përgatiten e duhet të përgatiten edhe më tej” ka thënë ministri Tahiri.

Gjatë takimit u diskutua edhe për masat e Agjendës ‘Drejtësia 2020” si dhe proceset e monitorimit të gjyqësorit nga ana e EULEX-it.

Të ngjashme