Tahiri kërkon shkarkimin e Gërvalles: Ti je turpi i diplomacisë, ti je përfaqësuese e Serbisë

Prishtinë | 06 Maj 2021 | 11:20 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i ka replikuar ashpër ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, raporton Ekonomia Online.

Tahiri tha se Gërvalla është përfaqësuese e Serbisë në Kosovë dhe se është turpi i diplomacisë.

“Serbia të ka ty përfaqësues në Kosovë, ti je turpi i diplomacisë së Kosovës me dal me thanë se Gjykata Speciale nuk është bërë nga Serbia është turpi më i madh për qytetarët. Dil kërkoju falje qytetarëve sepse ajo gjykatë është bërë me faktet e sajuara nga qeveria serbe. Kërkoju falje qytetarëve dhe njerëzve që janë atje të akuzuar, kjo gjykatë është bërë prej njerëzve sikur ju me dëshmi të sajuara”, tha Tahiri.

Ai shtoi se “sot Daçiqi nuk ka nevojë me fol se është Donika Schwarz se atë mbiemrin tjetër po më vjen marre me ta përmend. Ti sot më shumë ngjason me përfaqësuesin e Serbisë në Kosovë sesa me ministren e Punëve të Jashtme. Mjerim për këtë vend, turp i madh. Kërkoju falje viktimave, grave të dhunume. Është turp për ty, ti je përfaqësuese e Serbisë në Kosovë, ti nuk më përfaqëson mu”.

Tahiri kërkoi nga kryeministri Kurti që ta shkarkoj ministren Gërvalla.

“Sot nëse do të kishim një kryeministër të përgjegjshëm sot do duhej me të shkarkua, asnjë minutë s’mundesh me qenë ministre e jashtme. Ti nuk mundesh me qëndrua më në këtë sallë ti duhesh me ecë”, tha Tahiri.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla tha se Gjykata Speciale nuk është instaluar nga Serbia, por është votuar në Kuvendin e Kosovës dhe për këtë iu drejtua deputetëve të PDK-së “fajtor jeni ju”.

Gërvalla ka thënë se korrupsioni në Kosovë është instaluar pikërisht nga Partia Demokratike e Kosovës.

Duke folur për Gjykatën Speciale, ministrja theksoi se e vërteta është e mirë, dhe se kjo gjykatë nuk është instaluar nga Serbia.

“Gjykata Speciale nuk është instaluar ngas Serbia, është instaluar nga ju. Sepse ju jo vetëm që nuk keni luftuar por nuk keni ndërmarr asgjë për dënimin dhe gjykimin e krimeve të pasluftës, por jeni munduar ta evitoni këtë dhe e keni bërë të mundur krijimin e Gjykatës Speciale dhe e keni votuar”.

“Gjykata Speciale nuk ka pikur nga qielli, dhe tani jeni në nevojë për të sqaruar se përse e keni bërë një gjë të tillë. Ju jeni pikërisht përgjegjës që prirësit tuaj sot ndodhën në Hagë, duke mohuar të vërtetën nuk do të gjeni zgjidhje”, tha Gërvalla, raporton EO.

Të ngjashme