Tahiri: Me Albin Kurtin kryeministër, Lista Serbe nuk ka vend në Qeverinë e Kosovës

Prishtinë | 20 Tet 2019 | 10:41 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik Ramush Tahiri, është i bindur se Lista Serbe nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së Kosovës, në qoftë se lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, zgjidhet Kryeministër.

“Ndonëse Kushtetuta e Kosovës është e qartë lidhur me formimin e qeverisë dhe resorëve që u takojnë komuniteteve jo-shumicë, kandidati për kryeministër, Albin Kurti nuk do të pranojë që në qeveri të jetë ndonjë një person, i cili në vend se të mbrojë interesat e Kosovës do të mbrojë interesat e Serbisë”, ka thënë Tahiri në një emision në gjuhën serbe në RTK2, përcjell Telegrafi.

Tahiri është i bindur se Lista Serbe nuk do të ketë ndonjë ministër në qeverinë e Kosovës, nëse Albin Kurti bëhet kryeministër, për faktin se “kryeministri i propozon në qeveri këdo që përfaqëson interesat e komunitetit, në përputhje me politikën që ndjek qeveria, e jo kundër saj”.

Duke folur për mundësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëse Albin Kurti bëhet kryeministër, Tahiri thotë se lideri i Vetëvendosjes do të kërkojë bisedime mbi  bazën e të barabartëve.

“Tema e Kosovës nuk do të jetë në tryezë, por marrëdhëniet ndërshtetërore. Do të shohim se si do të funksionojë kjo dhe nëse pala serbe do të pajtohet. Sidoqoftë, askush nuk mund ta kontestojë këtë të drejtë, sepse në bazë të Kushtetutës dhe ligjit, ai përfaqëson Kosovën”, tha Tahiri. 

Të ngjashme