Tahiri: Miratimi i reformave në drejtësinë penale fuqizon kauzën tonë të drejtë për liberalizimin e vizave

Prishtinë | 16 Nën 2018 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Sot është mbajtur takimi i Nivelit të Lartë për Sundimin Ligjit që udhëhiqet nga Kryeministri Ramush Haradinaj, ku temë qendrore e këtij takimi ishte avancimi i agjendës legjislative dhe reformave në drejtësi. Në këtë takim, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka prezantuar përmbajtjen e projektligjeve dhe reformave që janë ndërmarrë të cilat ndikojnë në fuqizimin e Shtetit të së Drejtës dhe agjendës integruese të Republikës së Kosovës.

Ministri Tahiri ka theksuar se agjenda legjislative e sektorit të drejtësisë, ka për qëllim fuqizimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe qasjen efikase dhe përmbajtjesore në drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ministri Tahiri ka bërë të ditur se përveç përmbushjes së obligimeve të dala nga Agjenda e Reformave Evropiane, hartimin e një sërë pakosh së ligjeve, ndër të cilat Pakoja e ligjeve kundër korrupsionit, rishikimi i drejtësisë penale, Pako e ligjeve të gjyqësorit, po ashtu janë ndërmarrë edhe iniciativa tjera për të përmirësuar menaxhimin dhe performancën e sektorit të drejtësisë.

“Duke pasur parasysh nevojën për të dëshmuar vendosmërinë tonë si Republikë, si partner serioz në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka qenë shumë e rëndësishme edhe rishikimi i Drejtësisë Penale. Këto ndryshime, do të na nxjerrin në një dimension tërësisht të ri dhe më të fuqishëm sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ” ka theksuar ministri Tahiri.

Miratimi i akteve ligjore të sektorit të drejtësisë në leximin e dytë në Kuvendin e Kosovës, sipas ministrit Tahiri do të kenë ndikim edhe në rangimin tonë si shtet, edhe në procesin e liberalizimit të vizave edhe në vlerësimin nga ana e Komisionit Evropian në raportet e vendit

“Janë 16 projektligje të Ministrisë së Drejtësisë që janë në procedura të Kuvendit në fazë të ndryshme. Konsideroj se miratimi final sa më shpejt i projektligjeve siç janë Kodi Penal, Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ai për Konfiskimin e Pasurisë dhe ai për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, nga ana jonë si shtet, e përmbyllin kapitullin dhe e fuqizojnë kauzën tonë të drejtë për liberalizimin e vizave” ka theksuar në fund ministri Tahiri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme