Tahiri në Korenë e Jugut, flet për vuajtjet e Kosovës gjatë luftës

Prishtinë | 20 Sht 2016 | 11:07 | Nga

Ministrja për Dialog, njëherësh kryetare e Lobit Rajonal të Grave (RWLSEE), Edita Tahiri, mori pjesë në samitin e paqes të HWPL/IWPG, të mbajtur në Seul të Koresë së Jugut, të mbajtur mes datave 17-19 shtator 2016.

Ministrja Tahiri së bashku me koordinatoren e Lobit Rajonal të Grave, Diana Cekaj-Berisha zhvilluan një takim me udhëheqësin e HWPL Man Hee Lee dhe udhëheqësen e IWPG Nam Hee Kim me të cilët biseduan lidhur me angazhimet për të promovuar paqen globale në botë.

Në fjalën e saj Tahiri i njoftoi të pranishmit për vuajtjet që ka hequr në kohën e luftës.

“Para okupimit të vendit tim, unë nuk isha politikane. Ju bashkova lëvizjes për liri, demokraci dhe pavarësi të Kosovës për shkak se populli im gjendej në vështirësi. Ende e kujtoj momentin kritik i cili më bëri që të marrë vendimin tim për të luftuar për liri – ishte momenti kur forcat e okupatorit serb vranë tre fëmijë shqiptar në oborrin e një shkolle fillore”.

“Besoja se nuk mund të ketë paqe pa pasur drejtësi për popullin tim. Një drejtësi që ndërtohet mbi të drejtën e Kosovës dhe shqiptarëve për vetëvendosje, dhe që sillte përfundimin e shtypjes dhe gjenocidit kundër popullit tim. Qëllimi im ishte të sigurojmë që kurrë më të mos ndodh gjenocidi kundër shqiptarëve. Besoja se gratë duhet të luftojnë krah për krah me burrat drejt arritjes së qëllimit historik për një komb të lirë dhe të pavarur”.

“Ne nuk kishim armë, dhe e gjithë strategjia jonë bazohej në përdorimin e fuqisë së mendjes tonë. Ne përdorëm forcën e argumentimit për t’ja shpjeguar botës çështjen e Kosovës dhe shqiptarëve. Në anën tjetër, armiku ynë Serbia, po përdorte forcat e armatosura kundër neve. Mijëra e mijëra shqiptarë u vranë, e mes tyre edhe shumë gra dhe fëmijë.  Por, asnjëherë nuk u dorëzuam. Ja arritëm të bindim bashkësinë ndërkombëtare që të kuptoj çështjen e Kosovës, ndërkohë që organizuam institucionet tona shtetërore që na ndihmuan të mbajmë rezistencën”, ka theksuar ajo.

“Në ato momente, e kujtova luftën e babait tim për të drejtat e shqiptarëve, i cili kurrë nuk u pajtua me padrejtësinë ndaj kombit tonë të ndarë dhe të shtypur. Ishte ky një moment përcaktues, një moment i marrjes së përgjegjësive që të ndihmoj mbijetesën e popullit tim me çfarëdo çmimi. I nxita mijëra gra në qytetin tim që t’i bashkohen lëvizjes, dhe shpejt u zgjodha në kryesinë e lëvizjes të njohur si Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha Tahiri.

Në këtë Samit morën pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi dhe ministri i FSK, Haki Demolli. Në këtë Samit që kishte për qëllim paqen dhe ndaljen e luftërave në botë morën pjesë përfaqësues të shteteve, qeveritarë, politikan, akademikë, përfaqësues të religjioneve dhe shoqërisë civile nga e gjithë bota.

Të ngjashme